Meksikë: Te ne sundon pigmentokracia
Edhe në Meksikë ka nisur racizmi kundër migrantëve. Fushatat kundër të tyre janë jo vetëm në rrjete sociale, por edhe me patrullime civile.
Që nga 19 tetori kanë mbërritur në Meksikë minimumi 17.000 emigrantë. Kjo shifër nuk duket edhe aq alarmuese, krahasuar me numrin vjetor të migrantëve që kalojnë Meksikën me shpresën për të shkuar në SHBA: 450.000 (burimi: Organizata Ndërkombëtare për Migrimin (IOM). Por pamjet e shtetasve nga Amerika Latine duke shkatërruar gardhet kufitare që lidhin Guatemalën me Meksikën, kanë ngjallur indinjata te shumë meksikanë: “Nëse ata nuk i respektojnë autoritetet tona, atëherë nuk do të respektojnë as ligjet e këtij vendi. Asnjë vend në botë nuk mund të lejojë këtë mënyrë hyrjeje”, thotë pensionistja 86-vjeçare, Maria Preciado, për DW.
Kur 5.000 emigrantët e parë arritën në kryeqytetin e Meksikës, qeveria ngriti një qendër pritjeje me përkujdes mjekësor dhe psikologjik. Një nga grupet më të famshme rokere në vend dha edhe një koncert falas për ta. Kjo u vijua nga një valë kritikash në rrjetet sociale. Në kolazhe fotografike viheshin përbri mbështetja e qeverisë për migrantët dhe meksikanë të varfër. “Unë nuk jam kundër imigrantëve, por ka viktima të tërmetit të vitit të kaluar që ende jetojnë në rrugë dhe në shkolla. Qeveria nuk po bën asgjë për ta,” thotë 65-vjeçarja Estela Ávila.
Nacionalizëm në stilin e Trump-it
Të dielën e kaluar, pati një demonstratë në Meksiko kundër qeverisë së re. Në fakt, qeveria e porsazgjedhur do të fillojë në dhjetor nga puna. Në internet, protesta është edhe më e ashpër. Në rrjetet sociale qarkullojnë pamje me mbishkrime: “Jo emigrantë të padëshiruar”. Këto shprehje ksenofobie ekstreme në ueb shpërndahen kryesisht nga një grup i quajtur Lëvizja Nacionaliste e Meksikës. Ndër të tjera, ata thonë se emigrantët janë gjoja të lidhur me bandave kriminale që përmblidhen nën emrin Mara Salvatrucha (MS). Banda e krijuar në El Salvador mendohet të ketë, sipas Wikipedia-s, 50 mijë deri në 100 mijë anëtarë nga Amerika Qendrore dhe mbahet për tepër agresive dhe e gatshme për dhunë.
Pakënaqësia dhe mosbesimi ndaj imigrantëve nuk janë vetëm virtuale por edhe reale. Për shembull, në shtetin juglindor të Mekiskës, Chiapas, po organizohen patrulla civile që kontrollojnë se ku shkojnë imigrantët, thotë René Sop, anëtar i Shërbimit Jezuit për Refugjatët. Deri tani, veprime të tilla i kanë bërë vetëm grupet ekstremiste të djathta në SHBA, por ato po kopjohen gjithnjë e më shumë edhe në Meksikë.
Racizmi dhe klasa sociale
“Nëse këta emigrantë do të ishin të gjithë britanikë, askush nuk do të ankohej. Kur e ke lëkurën të bardhë, je i privilegjuar,” thotë studenti 20-vjeçar Alejandra Lozano. Në Meksikë, sipas Komisionit Kombëtar Kundër Diskriminimit (Conapred), ngjyra më e errët e lëkurës sa më e errët që është ngjyra e lëkurës, aq më e vështirë është të merret trajnim ose punë.
“Në Amerikën Latine sundon ‘pigmentokracia'”. Nëse je biond, ti krijon te njerëzit asociacion me prosperitetin, lumturinë dhe madje edhe mirësinë. Shumë amerikano-latinë janë me prejardhje afrikane, dhe për këtë arsye të padëshirueshëm”, thotë Guillermo Alfaro, një profesor në Universitet Iberoamericana të Meksikos. Ndërsa migrantët vazhdonin rrugën e tyre përmes Meksikës, aversioni ndaj tyre sa vinte nga popullsia meksikane sa vinte e rritej. “Ne kemi 120 milionë banorë. E ç’janë disa mijëra njerëz. Nëse meksikanët vërtet i duan të mirën këtij vendi, atëherë nuk duhet të bëjnë përjashtime mbi bazën e paragjykimeve”, thotë Alfaro./DW
Fraksion.com