Gruevski u maskua si grua, hipi në avion në Tiranë me kapele e syze?!
Dy ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe Hungarisë kanë zhvilluar një bisedë telefonike mëngjesin e kësaj të enjteje për ekstradimin e ish- kryeministrit Nikolla Gruevski i cili ka kërkuar azil politik në Budapest. Mediat hungareze shkruajnë se gjatë telefonatës, ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov, i tha homologut të tij Péter Szijjártó se kërkesa e Gruevski për statusin e refugjatit, nuk është çështje politike, por ligjore.
Megjithatë autoritetet hungareze kanë një afat 60 ditor në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të shqyrtuar kërkesën për azil të ish-kryeministrit që qeverisi Maqedoninë për rreth 1 dekadë. Nga ana tjetër, autoritetet në Maqedoni bënë të ditur se janë marrë të gjitha masat për përgatitjen e dokumentacionit për ekstradimin e Gruevskit, kërkesë e cila pritet të finalizohet zyrtarisht javën e ardhshme.
Kryeministri Zoran Zaev pret bashkëpunimin e shtetit hungarez për zbatimin e ligjit dhe Gruevski të vuajë dënimin në vendin e tij. Çështja Gruevski ka trazuar edhe politiken ne Budapest. Partitë opozitare hungareze, i kanë bërë thirrje qeverisë të arrestojë dhe ekstradojë sa më shpejt ish kryeministrin maqedonas. Sipas tyre kërkesa për azil është një skandal.
Nikolla Gruevski, i dënuar me 2 vite burg për shpërdorim detyre, i shpëtoi arrestimit ne Shkup. Ai dyshohet se u arratis i maskuar si grua, për shkak se nuk kishte pasaportë. Gruevski, i cili është në kërkim nga autoritetet e vendit të tij, dyshohet të jetë arratisur përmes Shqipërisë.
Kështu shkruan gazeta serbe “Politika”, e cila në kryeartikullin e saj sqaron se Nikolla Gruevski kaloi kufirin maqedonas drejt Shqipërisë në mënyrë të paligjshme.
“Ish-kryeministri i Maqedonisë, me një pasaportë false kaloi gjatë natës kufirin maqedono-shqiptar dhe shkoi në mënyrë ta paligjshme drejt Tiranës ku u strehua në ambasadën e Hungarisë. Të nesërmen në mëngjes, përmes kompanisë ‘Malev’ fluturoi nga Tirana drejt Budapestit”, shkruan gazeta serbe.
Ekuipazhi i aeroplanit nuk e kishte idenë se cili pasagjer ndodhej në bord. Nikolla Gruevski ishte veshur me kapele dhe syze, të cilat nuk i hoqi as në avion, shkruan e përditshmja serbe.
Fraksion.com