AktualitetTë fundit

Duka padit deputetin Braçe për shpifje; Dështon seanca e pajtimit

Konflikti në distancë mes kreut të FSHF-së Armand Duka dhe deputetit socialist Erjon Braçe, duket se ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës.

Kunjat, akuzat dhe fyerjet në distancë mes tyre nuk do të qëndrojnë thjesht të tilla, por do të ndiqen në rrugë ligjore.

Kreu i futbollit, këtë herë, nuk i është përgjigjur lumit të akuzave të Braçes mbi evazionin fiskal thjesht me një komunikatë, por duke paditur rastin në fjalë.

Mësohet se Duka e ka paditur Braçen për shpifje dhe dëmtim të imazhit, ndërkohë që ky i fundit është paraqitur ditën e sotme në gjykatë me 25 minuta vonesë.

Në fokus të kësaj padie janë deklaratat që deputeti Braçe ka deklaruar apo publikuar në profilin e tij në rrjete sociale kundër presidentit të Federatës Duka, të cilin midis të tjerave e akuzon edhe për mospagim të detyrimeve. Në padi janë regjistruar edhe thënie të tilla si llum i shoqërisë që Braçe ua dedikonte drejtuesve të federatës.

Edhe pse deputeti Braçe u paraqit në gjykate ai nuk arriti dot të kapte orarin e gjyqit. I pamësuar me proceset gjyqësore deputeti Erion Braçe u paraqit në gjykate me 25 minuta me vonesë duke bërë që gjyqtari Arben Micko të shtyjë seance e parë atë të pajtimit. Por me sa duket Braçe nuk ka humbur ndonjë gjë, pasi ka deklaruar se do t’i shkojë këtij gjyqi deri në fund.

“Po ka mendere të vijë vetë dhe ta provojë, por të vij vetë ama, ai dhe ky manari që mban nga mbrapa Ilir Shulku. Po t’i krahasosh statuset e mija me statuset e Armand Dukës dhe Federatës kundër meje është njësoj si të lexosh vulgun me mendimet e mija për një ndeshje sportive dhe për ngjarje që trokasin prangat për zyrtarët e Federatës. Të vijë dhe të provojë nëse ka paguar gjatë këtyre viteve detyrimin prej 10 për qind të së drejtës televizive. Të vijë dhe ta provojë në gjyq, por pasi t’i ketë paguar se deri tani nuk ka paguar asgjë”, u shpreh Erion Braçe. Seanca e radhës gjyqësore është caktuar në datën 26 nëntor.

Kohë më parë, trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Christian Panuçi, për një status të publikuar nga ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani, që e quante italianin “sharlatan” pas humbjes 3-0 ndaj Kosovës, do të dorëzonte në gjykatën e rrethit Tiranë padinë e tij.

Ish-presidenti do të përgjigjej duke thënë se fjala “sharalatan” nuk ishte një fyerje, por opinion i tiji personal. Çështja gjyqësore ende nuk është arkivuar dhe Panuçi ka kërkuar rreth 100 milionë lekë të vjetra dëmshpërblim për të mbyllur gjithçka./shqip

 

Fraksion.com