AktualitetTë fundit

Shkodër, vritet në atentat tregtari. Në kërkim, dy autorët e maskuar

Fatos Ferracaku, baba i 4 fëmijëve, tregtar peshku në Shkodër, është ekzekutar me 8 plumba nga dy persona me maskë.

Vrasja e radhës në qytetin e Shkodrës ka ndodhur në zonën e quajtur Merkata, në rus. Viktima ndodhej në një lokal ulur në tavolinë me një të njohur kur ka nisur breshëria e plumbave.

Nga të shtënat është plagosur edhe një person.

Vrasja ndodhi në orën 11:15 dhe 31-vjeçari raportohet se ka humbur jetën në Spitalin e Shkodrës. Në bazë të dëshmive, policia ka nisur ndjekjen dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë gjetën një motor të djegur në lagjen “Guerrile”, në zonën e quajtur të livadheve, në një rrugë baypass ende në ndërtim.

Policia dyshon se mjeti është përdorur nga dy atentatorët, të cilët, pasi qëlluan, u larguan me shpejtësi. Vrasja ka qenë e organizuar mirë nga dy personat ende të paidentifikuar.

Viktima Fatos Ferracaku rezulton të jetë në lidhje gjaku me Arjan Ferracakun, i cili humbi jetën në një atentat të ndodhur në Shkodër. Në atë kohë u mendua se viktima ishte qëlluar gabimisht, ndërsa shënjestra ishte një tjetër person. Ngjarja u komentua si një luftë mes dy familjeve në Shkodër, Bajri dhe Liçi.

Policia sërish ka shoqëruar disa persona, mes të cilëve edhe anëtarë të fisit Liçi. Arsyet e kësaj vrasjeje nuk bëhen të ditura, por ajo ndodh në një moment kur qyteti ka vuajtur nga atentatet që vijnë nga një luftë mes fiseve. Në një qytet ku tregtarët janë sulmuar edhe se nuk kanë paguar gjobat e të fortëve apo ku Kanuni dhe hakmarrja është një fenomen shumë i gjallë.

Policia ndërkohë kërkon ndihmën e të gjithëve që të lajmërojnë nëse dinë diçka në lidhje me autorët apo motivet e ngjarjes./TCH

 

Fraksion.com