Pikëpyetje mbi emërimin e Whitaker
Shteti amerikan i Merilendit vuri në pikëpyetje ligjshmërinë e emërimit nga Presidenti Donald Trump të zotit Matthew Whitaker si Prokuror i Përgjithshëm në detyrë për të zëvendësuar Jeff Sessions, i cili javën e kaluar u shkarkua nga ky post.
Shteti Merilend tha se emërimi shkel ligjin federal dhe se Presidenti Trump e emëroi Whitaker në postin e zyrtarit më të lartë të zbatimit të ligjit në vend për të mbrojtur veten nga hetimi rreth lidhjeve të fushatës së tij të vitit 2016 me Rusinë.
Shteti Merilend i kërkoi një gjykatësi federal në Uashington që Whitaker të zëvendësohet me Nënprokurorin e Përgjithshëm Rod Rosenstein, zyrtari i dytë në Departamentin e Drejtësisë, në respekt të rregullave normale të kësaj agjencie për zëvendësimin e një titullari që largohet.
Pas disa muajsh kritikash ndaj Sessions, Presidenti Trump kërkoi dorëheqjen e tij dhe më pas emëroi 49 vjeçarin Whitaker, ish shef kabineti i zotit Sessions, si zëvendësues të tij, duke anashkaluar Rosenstein.
Presidenti Trump prej kohësh ishte ankuar rreth faktit që Sessions u tërhoq nga hetimi për Rusinë dhe nga mbikqyrja e hetuesit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen e Rusisë në fushatën e vitit 2016. Sessions ia delegoi Rosenstein mbikqyrjen e hetimeve të prokurorit të posaçëm Mueller.
Me largimin e Sessions, hetimi është nën kontrollin e zotit Whitaker. Por demokratët e opozitës e kanë kundërshtuar emërimin e tij, duke vënë në dukje sulmet e tij të shpeshta ndaj hetimit të prokurorit Mueller përpara se të vinte për të punuar në Departamentin e Drejtësisë një vit më parë.
Fraksion.com