Stoltenberg i kërkon Evropës të mos i rrezikojë raportet me SHBA-në
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi Evropën kundër dëmtimit të marrëdhënieve transatlantike, pas një përplasjeje midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe atij të Francës, Emmanuel Macron.
Trump, përmes një postimi në Twitter të premten, tha se thirrja e Macronit për “një ushtri të vërtetë evropiane” është “fyese”.
Trump i bëri komentet pasi Macron foli për nevojën e një ushtrie evropiane, duke thënë se siguria e Evropës nuk mund të varet nga Shtetet e Bashkuara.
Duke mos iu referuar në mënyrë specifike thirrjes së Macronit, Stoltenberg tha se i mbështet përpjekjet e Evropës në mbrojtje, të cilat mund të forcojnë NATO-n.
Por, ai i paralajmëroi anëtarët evropianë kundër dyfishimit të punës së aleancës dhe rrezikimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.
“Më shumë përpjekje evropiane për mbrojtjen janë një gjë e mirë, por ato nuk duhet të minojnë fuqinë e lidhjes transatlantike”, tha Stoltenberg në një forum në Berlin.
“Nëse flasim shumë për një frazë si: autonomia strategjike … kjo tingëllon sikur ju synoni t’i bëni këto gjëra të mëdha strategjike vetëm dhe nuk mendoj se kjo është një gjë e mençur”.
“Dy Luftërat Botërore dhe Lufta e Ftohtë na kanë mësuar për rëndësinë e bërjes së gjërave së bashku”, tha Stoltenberg.
Trump vazhdimisht i ka kritikuar anëtarët evropianë të NATO-s, si Gjermaninë, për mosarritjen e objektivave të shpenzimeve, të vendosura nga aleanca.
Fraksion.com