AktualitetOp-EdTë fundit

Pse Ilir Meta po e lufton Edi Ramën nga skrivania?!

Nga Skënder Minxhozi

 

Mes Ilir Metës dhe Edi Ramës duket se po ngrihet një precedent që po ribën rregullat bazë të funksionimit të shtetit ligjor, të ndërtuar mbi parimin e ndarjes së pushteteve. Këto orë mes tyre po shkëmbehen letra publike, të cilat janë më shumë fletrrufe politike, sesa debate procedurale e juridike për dekretimin e anëtarëve të qeverisë.

Mes gjithë këtij mishmashi, që na thotë se dekreti Lleshi do ta djegë me shumë gjasë edhe provën e dytë, pa e marrë firmën e kreut të shtetit, një gjë duket e qartë si drita e diellit: Ilir Meta nuk ka asnjë dëshirë të dekretojë ministrin e brendshëm të Edi Ramës! Ministrat janë të kryeministrit, jo të presidentit. Megjithatë presidenti ka vendosur se duhet të jenë edhe të tijët!

Është me vend në këto rrethana të reja, të komentohet sfondi i kësaj përplasjeje, arsyet dhe kalkulimet që e rrethojnë atë, pasi, sa për fundin e kësaj ecejakeje, ai tashmë dihet. Përtej ndonjë kompromisi të minutës së fundit (që edhe ai duhet analizuar me qetësi), Sandër Lleshi do të vazhdojë të jetë zv.ministër, e jo ministër i brendshëm.

Pasi kishte heshtur në mesin e një vere dhe fillim-vjeshte të ndezur mes qeverisë dhe opozitës, Ilir Meta vendosi të zbresë në fushë tani. Pse pikërisht tani dhe pse duke bllokuar qeverinë në elementin e saj primar: zgjedhjen e anëtarëve të kabinetit qeveritar?! Kjo është pyetja që bëhet më shpesh këto orë në ambjentet politike e mediatike të Tiranës, ndërkohë që paralelisht me lajmet, ka nisur baleti i shfrenuar i gjysëm, çerek apo aspak-lajmeve, si zakonisht të mbushura me agjentura të huaja dhe gjithfarë përçartjesh kafenesh. Lënia pezull e një zyrtari të lartë ka krijuar historikisht një vello misteri, përfoljesh dhe thashethemesh të të gjitha llojeve e përmasave në mjedisin shqiptar. Dhe me Sandër Lleshin po luhet e njëjta lojë e vjetër e përbaltjes, në pritje të daljes nga tuneli i sherrit politik që ka shkaktuar emri i tij.

Nëse ka një gjë që Ilir Meta e urren dhe që ka një vit që e dëgjon pafund, është refreni se ai është kthyer tashmë në një “garniturë institucionale”, në një “kukull zbukurimi” të sistemit dhe në një pensionist të parakohshëm. Të gjitha këto përcaktime bien ndesh me çdo qelizë dhe instikt të tijin të brendshëm, si një politikan që është mësuar të rrijë kurdoherë në mes, e jo diku në sfond. “Kingmaker”, njeriu që përcaktonte rregullat e lojës dhe që ndante fitoren nga humbja – ky ka qenë statusi i artë që sot i mungon pafund  Metës. Ai e dha një goditje “bishti” me rastin e plotfuqive për negociatat shqiptaro-greke për Marrëveshjen Detare, por pesha speficike e atyre bisedimeve e pengoi të bëjë obstruksionistin e fortë. Siç po ndodh tani me rastin Lleshi, ku më në fund ai po sillet siç mezi ka pritur të sillet: i ashpër e kokëfortë, shpërfillës për Kushtetutën dhe indiferent për faktin se po bën diçka që asnjë president tjetër s’e ka bërë.

Llogaritë e një sjelljeje të tillë mund të jenë të shumta dhe përkojnë të gjitha me objektivat afatshkurtra dhe afatmesme të politikanit Ilir Meta. Së pari është faktorizimi në ambjentin politik e publik të vendit, duke tërhequr mbi vete vështrimet e të gjithëve, në një moment kur fabula politike po luhej gjetiu. Së dyti, Meta po tenton t’i hapë Ramës edhe një front tjetër konflikti, përpos atij të opozitës. Nëse do të rezultonte kështu, do të ktheheshim në pozitat e vjetra të Bujar Nishanit, i cili u mundua ta përdorë hapur Presidencën, kundër shumicës së re pas vitit 2013.

Së treti, bllokimi i Metës për Sandër Lleshin jep publikisht mesazhin e kriptuar, se kryeministri aktual nuk është i pathyeshëm, siç thonë rëndom Berisha e Basha, të cilët predikojnë daljen nga fusha e rregullave të lojës, për t’ju drejtuar protestave, dhunës etj. Ilir Meta po kërkon të tregojë se Rama mund të luftohet edhe nga skrivania, jo vetëm nga kalldrëmi i Dëshmorëve të Kombit. Vizitat e Ramës në presidencë, letrat e tij për dekretimin e Lleshit, shoqëruar me tërheqjen zvarrë të përgjigjeve nga keru i shtetit, duket se bëjnë të gjitha pjesë në strategjinë e Metës për të afishuar idenë se Rama nuk është as i plotfuqishëm dhe as i pamposhtshëm.

Së katërti Meta po luan një lojë e cila synon defaktorizimin e Ramës jo vetëm në planin e përgjithshëm politik, por edhe brenda Partisë Socialiste. Njoftimi se Presidenca do të përfshijë në vallen e dekretimit të Sandër Lleshit edhe Kuvendin, është një demarsh i pastër për të relativizuar fuqinë politike të kryeministrit brenda maxhorancës së tij.

Së pesti, ky e Sandër Lleshit duket hapur si një presion i kreut të shtetit për të pasur më shumë hapësirë dhe fuqi negociuese në lidhje me disa pozicione të tjera institucionale delikate. Më i pari ndër to, kreu i KLSH, kandidaturën e të cilit Presidenti e hodhi në derën e Parlamentit në mes të sherrit për Lleshin. Kjo u duk hapur si një ftesë e (pa)kamufluar për një pazar emrash: më jep Vitore Tushën, të të jap Sandër Lleshin. Përgjigja e Ramës se emërimi i Tushës në KLSH dëmton reformën në drejtësi, mund të jetë lexuar në Presidencë si një dëshirë e munguar për kompromis. Çka e ka kthyer topin edhe një herë në mes të fushës. Veçse arbitri po thotë se e ka harruar bilbilin në shtëpi dhe se dëshëron të kthehet në lojtar!

 

Fraksion.com