AktualitetOp-EdTë fundit

Tre sinjale e gjysëm për të kuptuar çfarë do të ndodhë në Tiranë

Nga Lorenc Vangjeli

Ka tre sinjale e gjysëm që vlejnë për të lexuar se çfarë mund të ndodhë në një të nesërme jo fort të largët në Tiranën politike. Ka shumë më shumë rregull sesa mund të mendohet në kaosin që duket se i prezantohet gjithkujt që sheh vetëm sipërfaqen që zjen si zakonisht; edhe pse kaosi shpesh është forma më e lartë e rregullit.

Sinjali i parë ka të bëjë me Edi Ramën, i cili përfundimisht ka vendosur me veten synimin për  edhe një katër vjeçar të tretë në zyrën në kat të dytë të Këshillit të Ministrave. Vetëm në tepsi apo në një sofërkoalicion të gjerë, të krijuar për hir të stabilitetit të vendit – siç do të mund të shpjegohet – me Bashën, me Monikën apo me të dy së bashku, kjo është histori tjetër. Rama ka nevojë për një distancë gjithmonë e më të madhe në kohë me çfarë është bërë keq në këta pesë vjet qeverisje dhe kërkon t’i japë kohë kohës për të patur një bilanc domethënës, të dukshëm e të çertifikuar nga publiku. Nëse Basha kapërcen disa halle amerikane, (ato për të cilat Rama thotë se ja di, por nuk e ndihmon dot t’i zgjidhë), nuk ka asnjë çudi që ai të jetë një bashkofertë e nesërme qeverisjeje; njëlloj siç mund të jetë Monika që rri e pret në heshtje e me durim  rrokullisjen e zarave për më tej; në një vend si Shqipëria klasike, ku kurrë nuk duhet thënë kurrë, shpesh është thënë kurrë edhe më kot!

Sinjali tjetër i rëndësishëm lidhet me emrin e ri të kryetarit të bashkisë së Tiranës. Dhe ky sinjal pritet të verifikohet shumë shpejt. Falë vetes dhe reagimit të kujdesshëm me veten, njëlloj si të ketë synuar t’i ngjajë faqe pas faqeje ndonjë manuali universitar që vizaton portretin e politikanit, Veliaj ka firmosur vetëm gabime të parëndësishme gjatë këtyre pesë vjetëve. Me shumë autokontroll, me marëdhënie njerëzore që synojnë të çarmatosin me miqësi armiqtë dhe të mbajnë afër miqtë, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka imponuar staturën e tij në parti si çun i mirë dhe zotëri që punon. Veliaj fitoi pikërisht aty ku gaboi Tahiri, me të cilin për një kohë të gjatë  tërhiqnin në anë të ndryshme garën për zemrën e Edi Ramës.

Simboli i pushtetit lokal të socialistëve tani është përpara një provë zjarri që kalon përmes rikandidimit të tij në Tiranë. Nëse kjo nuk ndodh, kjo do të thotë që Rama ka llogari të tjera me të që nuk kanë të bëjnë vetëm me raport të tashëm dritëhijesh mes pushtetesh e individësh. Në këtë rast, Veliaj me shumë gjasa do të jetë zëvendëskryeministër i Ramës. “Do të bëjë me gjithë Shqipërinë atë mrekulli që ka bërë me Tiranën”, do të thotë kryeministri nëse verifikohet një akt i tillë. Duke e marë pranë Erionin dhe njëkohësisht duke e larguar atë nga pushteti real. Në të kundërt, përfundimisht, aq sa mund të jenë përfundimtare gjërat në Tiranë, Veliaj do të jetë mbas Edi Ramës, oferta fituese e të majtës.

I aftë të bashkojë në pushtet edhe kundërshtarët përpara se të shohë nevojën për t’u ndarë nga miqtë për shkak të pushtetit.

Marëdhënia e kësaj maxhorance me institucionin e Presidentit të Republikës është sinjali i tretë dhe horoskopi tjetër mjaft i rëndësishëm që duhet të lexohet me kujdes për të kuptuar se çdo përplasje, çdo kolaps kushtetues, çdo ndeshje e sharje me libër kushtetute, nuk nxjerr asnjëherë fitues më të fortin. Sepse, në këtë rast, më i dobti fiton sidomos atëherë kur duket se humbet.

Në rastin e Metës dhe të bashkëjetesës së tij të gjatë me Edi Ramën që ka ik e ardhur shumë herë në skajet dashuri-urrejtje, duhet pasur parasysh edhe një detaj thelbësor. Çdo kush që kërkon ta mposhtë Metën duhet t’i afrojë paqe. Ndryshe, në luftë me të, herët a vonë rrezikon t’i paguajë paqes së rradhës, një çmim më të lartë se parashikimi. Edhe Rama, si Berisha e kanë provuar herë njëri dhe herë tjetri këtë lloj pagese shproporcionale.

Partia Demokratike, si gjysëm sinjali, mund të rihyjë në ekuacionin e të nesërmes vetëm nëse kupton se edhe opozita është pushtet. Dhe se pushtetin e saj të fjalës e legjitimon vetëm morali. Gjysëm të vërtetat që janë prodhuar me shumicë dërmuese në vitet e saj të opozitës, këndvështrimi skematik bardh e zi, a thua se në Shqipëri vetëm vidhet, grabitet e gjithkush vret gjithkënd, ideja se gratë kanë mbyllur këmbët, se matërnitetet kanë kyçur dyert dhe se punojnë vetëm agjensitë e funeralit, është thjesht e pavërtetë. Kjo ide ka dobësuar besueshmërinë e opozitës të përfshirë në babalemaninë e saj dhe ka vënë padrejtësisht në dyshim edhe të vërtetat e padiskutuara që ajo thotë. Ka errësuar madje edhe fitoret e saj epike ndaj maxhorancës; fotografinë për cannabis-in dhe institucionin e dekriminalizimit.

Në Partinë Socialiste, edhe pse nuk flet kush, duket se nga ata pak që kanë mundësi të mendojnë, këto tre sinjale e gjysëm, po lexohen me vëmendje. Gjithsecili kërkon të pozicionojë veten në grupet rrethorë të interesit me qendër kryeministrin-kryetar partie dhe kushtëzues i të tashmes dhe të ardhmes së gjithësecilit prej tyre. Me ikjen e Xhafajt, shumëkush llogarit se iku dhe një rrufepritëse e sulmeve të opozitës. Kali i betejës opozitare nuk mund të rrijë pa punë, ndaj aktorët kryesorë të qeverisjes, presin se cili/cilët do të zëvendësojnë Xhafën në trekëndëshin e sulmeve të opozitës tashmë me vetëm dy kulme: Rama e Balla.

Kryeministrat në Shqipëri kanë rënë vetëm nga pesha e pushtetit të tyre bashkë me partinë, kurse nga partia kanë ikur si kryetarë vetëm kur kanë dashur dhe vetëm kur partia e tyre ka qenë në opozitë. Kështu ka ndodhur me Nanon. E po kështu edhe me Berishën. Kush nuk e ka kuptuar këtë ligjësi shqiptare, thjesht herët a vonë e ka paguar dhe ka paguar për padijeninë e tij.

Rama është shumë i ri për t’u quajtur at’ që të presë duarlidhur atvrasësit e tij siç ndodh si rregull e jo si përjashtim në politikë. Ai po kërkon edhe një mandat tjetër qeverisës, veç të tjerash, edhe për të shtyrë në kohë kohën kur i duhet të provojë habinë antike të Çezarit kur u ndesh përballë me miqtë e shndërruar në armiq: “Edhe ti…?”. Paraardhësi i tij, Berisha, e thotë shumë shpesh. Për njerëz dhe hije që i vijnë nga para e pas të shkuarës së tij plot dritëhije.

 

Fraksion.com