Thaçi takoi Putinin: Rusia do të “mbështesë” marrëveshjen Kosovë-Serbi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi në Paris presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Përmes një postimi në Twitter, Thaçi tha se takimi me Putinin u përqendrua në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të obligueshme.
“Me presidentin Putin u përqëndruam te normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Për këtë temë, Putini ishte i qartë. ‘Nese ju (Kosova dhe Serbia) arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë’. (Shënim: citohet t’i ketë thënë Putin homologut kosovar)”, tha Thaçi në Twitter.
Arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme është synim i të dyja palëve, ashtu si dhe kusht për përparimin e tyre në rrugën e integrimit europian.
Por, në shtypin kosovar nuk munguan ngjyrimet për këtë takim. “Presidenti Thaçi, – shkruan gazeta Express, – po përpiqet të gjejë aleatë ndërkombëtare për të vënë në jetë idenë e tij të korrigjimit të kufijve, të cilën opozita e cilëson një ide ruso-serbe”.
Argumenti i dhënë prej saj është se, duke pasur parasysh qëndrimin kategorik të Angela Merkelit lidhur me këtë çështje, Thaçi po kërkon mbështetje në një adresë tjetër: te Vladimir Putin.
Në Paris, Thaçi dhe Putin, ashtu si dhe dhjetëra krerë botërorë, kanë marrë pjesë në shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Kreu i shtetit të Kosovës është duke udhëhequr edhe delegacionin e saj në bisedimet me Beogradin për normalizimin e marrëdhënieve.
Rusia ka mbajtur në mënyrë të vazhduar anën e Serbisë në kundërshtimin e Pavarësisë së Kosovës.
Fraksion.com