Rama: Kadrinjtë e shkulën shqiponjën nga flamuri; E ngulën në hyrje të Tiranës
Kryeministri Edi Rama ka reaguar serish pas debatit të krijuar me heqjen e ‘Shqiponjës’, simboli i 100-vjetorit të pavarësisë, nga rrethrrotullimi tek Dogana.
Përmes një statusi në ‘Twitter’ Rama ka ironizuar qëndrimin e opozitës, ndërsa ka komentuar edhe deklaratën e tij për atë që e cilësoi dje ‘vulgaritet i ngritur në piedestal’.
“Kadriu ati, biri dhe shpirti katran, paskan marrë në mbrojtje nga unë shqiponjën e flamurit, ndërsa unë kam folur për shfytyrimin vulgar të asaj shqiponje, të shkulur nga flamuri e të ngulur mu në hyrje të Tiranës prej kadrinjve pa din e iman, që nga shëmtia u vjen e tërë kënaqësia”, shkroi Rama në rrjetin social.
Ndërkohë ditën e shtunë simboli i pavarësisë u hoq nga vendi ku qëndronte që prej nëntorit të vitit 2012, vendim ky që solli reagime dhe përplasje deklaratash në distancë mes Ramës dhe përfaqësuesve të opozitës.
Dje Rama reagoi për herë të parë, ndërsa shkruante në rrjetet sociale se kurrë vulgariteti s’kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal si në rastin e ‘Shqiponjës’.
“Kurrë vulgariteti s’kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal, se sa në rastin e kësaj “shqiponje” në mesin e një skenografie pseudoklasike prej hyrjeje në kazino, që natën e bënte hyrjen e Tiranës si skenën e një filmi nga një tregim i Edgar Alllan Poe-s! Më në fund👎”, shkroi Rama.
Fraksion.com