Mitsotakis për çështjen Katsifas: Ka mjaft pika të turbullta
Kyriakos Mitsotakis, kreu i partisë më të madhe opozitare greke Demokracia e Re, i është referuar ngjarjes së 28 tetorit në Bularat, për të cilën tha se ka mjaft pika të turbullta që duhen sqaruar nga pala shqiptare.
Në një intervistë për gazetën e Beogradit “Politika”, Mitsotakis ka përsëritur qëndrimin për të mos njohur Kosovën si shtet të pavarur, ndërsa ka theksuar se partia e tij nuk ka për ta votuar Marrëveshjen e Prespës, kurdo që ajo të paraqitet në parlamentin grek.
Mitsotakis u intervistua nga gazeta serbe, në prag të një vizite të tij në Beograd, ku siç u njoftua do të pritet nga presidenti Vuçiç.
I pyetur se si i sheh marrëdhëniet me Shqipërinë, sidomos pas ngjarjeve të fundit”, Mitsotakis përgjigjet:
“Incidenti i fundit me të shtënat dhe vdekjen e homogjenit grek ka lënë ende mjaft boshllëqe dhe pika të turbullta, që është nevoja të sqarohen nga autoritetet shqiptare. Gjithashtu, disa deklarata që u bënë nga pala shqiptare nuk e ndihmuan situatën dhe duhet që të gjithë të jenë shumë të kujdesshëm. Përtej kësaj, marrëdhëniet e të dy vendeve duhet të ruhen dhe të mos influencohen nga deklarata dhe referime të papërshtatshme, aq më tepër nga akte që mund t’i dëmtojnë rëndë.
Sa i përket njohjes së Kosovës, Mitsotakis është përgjigjur pa mëdyshje:
“Qëndrimi i Greqisë është absolutisht i qartë dhe konstant. Madje është një qëndrim ndërpartiak, pasi të gjitha partitë janë unanime për mosnjohjen e Kosovës. Mirëpo, paralelisht, besojmë se dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës duhet të inkurajohet më tej”.
Mitsotakis, të cilin gjithë sondazhet e paraqesin si kryeministrin e ardhshëm të Greqisë, përsërit vendosmërinë që partia e tij të mos votojë Marrëveshjen e Prespës që u arrit në qershor nga kryeministrat Tsipras e Zaev.
“Kombinimi i emrit Maqedonia Veriore me gjuhën dhe kombësinë maqedonase është krejtësisht problematik. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me Greqinë, por edhe më gjerë me vendet e rajonit. Në Ballkan, këtë rajon veçanërisht delikat, duhet të mbyllen përgjithmonë dhe në mënyrë të parevokueshme çështjet e rivendikimeve. Dhe ne besojmë se kjo nuk ndodh me Marrëveshjen e Prespës. Fati i saj do të vendoset periudhën e ardhshme. Ajo që mund të them është se Demokracia e re nuk ka për ta votuar as në parlamentin e tanishëm dhe as në ndonjë parlament të ardhshëm. Ky është një qëndrim principal për ne”./oranews
Fraksion.com