Kryetarja e socialdemokratëve, Andrea Nahles nuk do të dorëzojë postin
Kryetarja e socialdemokratëve, Andrea Nahles nuk sheh asnjë arsye pse të dorëzojë postin e saj. Përkundrazi, ajo do të vazhdojë të punojë për temat e së ardhmes.
E pyetur për largimin e njoftuar të Horst Seehoferit, i cili do të dorëzojë postin e kryetarit të CSU-së, Partisë Kristiansociale, Andea Nahles tha për televizionin gjerman se: “Unë besoj se në këtë mënyrë një nga tre partitë në pushtet do të bëjë ndryshim personeli”. Partia e saj, socialdemokrate, SPD, ” e ka bërë këtë gjë tashmë, kur kryesimin e partisë e mora unë,” tha Nahles. Për pyetjen se a nuk duhet bërë një ndryshim edhe tek socialdemokratët, ajo tha qartë “Sigurisht që jo”.
Duke patur parasysh pasardhësin e Seehoferit në krye të CSU-së, dhe pasojat për koalicionin e madh në pushtet, Nahles tha: “Le të shohim një herë kush do të vihet”. A duhet të largohet Seehofer edhe nga posti i ministrit? Për këtë kryetarja e socialdemokratëve nuk jep përgjigje konkrete, duke thënë “njëra nuk ka të bëjë me tjetrën”.
Përmbajtje në vend të personelit
Në fundjavë Nahles mori pjesë në një forum dyditor të partisë së saj, ku socaldemokratët folën për temat e së ardhmes: forcimin e Europës dhe “reformimin e shtetit social 2015”.
“Ne do largohemi nga ndihma Harz IV për të papunët,” tha Nahles në Berlin. “Ne do të krijojmë një bazë të re sigurie”. Shteti social “i ndjek ndryshimet e mëdha të shoqërisë dhe ekonomisë,” theksoi ajo. Nuk mjafton të vazhdosh të zhvillosh sistemin ekzistues. Reformimi i shtetit të së drejtës duhet t’ i përgjigjet çështjeve ekzistuese.
Duke patur parasysh Europën si kundërpeshë për SHBA-në e Donald Trumpit, Nahles deklaroi: “Ne duhet t’ i japim fund shtetonacionalizmave të vogla”, dhe “duhet të gjejmë një përgjigje europiane”.
Forumi i ri i diskutimit, është pjesë e përpjekjeve të socialdemokratëve, për të përmirësuar imazhin e partisë, pas rezultatit të dobët në zgjedhje dhe rezultateve të ulta në sondazhe. Rreth 3 000 vetë morën pjesë në forumin e mbajtur në Berlin, shumë më tepër se sa pritej./DW