AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Sot tjetër propozim Metës për Lleshin ministër

Kryeministri Edi Rama njoftoi të enjten në mbrëmje se sot do t’i dërgojë sërish presidentit Ilir Meta propozimin për emërimin e gjeneralit Sandër Lleshi si ministër i Brendshëm.

Këtë deklaratë ai bëri gjatë emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në televizionin Vizion Plus.

Rama tha se propozimin e tij do ta shoqërojë “me një relacion shpjegues të mirë argumentuar, bazuar në procedurë, dhe në traditën e krijuar nga presidenti, për hir të së vërtetës, që në rastin e negociatave më Greqinë për plotfuqishmërinë, ka dërguar shkresa shumë serioze dhe shumë të detajuara që e kanë ndihmuar shumë procesin. Në këtë traditë, do t’i çoj nesër presidentit një shkresë shpjeguese të detajuar dhe do t’i japim presidentit mundësinë që të krijojë bindjen e plotë e të rifutemi në binarët e kushtetutës. Ky precedent nuk mund të krijohet dhe nuk ka pse të krijohet”, tha kryeministri.

Ai paralajmëroi gjithashtu se në ditët e ardhshme qeveria do t’i drejtohet dhe Gjykatës Kushtetuese për një interpretim të kësaj çështje. Ndonëse kjo Gjykatë është jashtë funksionit, kryeministri tha se në momentin që ajo do të plotësohet me anëtarë “shpresoj në pranverën e ardhshme” mund ta marrë në shqyrtim dhe “të sqarojë një herë e mirë dhe këtë aspekt”.

Qëndrimi i presidentit u shoqërua me polemika të shumta, për shkak të faktit se Kushtetuta nuk ja njeh shprehimisht një kompetencë të tillë Kreut të Shtetit, ndërsa ende nuk ka një pozicionim zyrtar për motivet që e shtynë zotin Meta të refuzonte emrin e ministrit të ri. Kreu i qeverisë nga ana tjetër, vendosi që t’ia besojë sërish drejtimin e ministrisë zotit Lleshi, por nga pozita e zëvendësministrit.

Lidhur me situatën e krijuar të enjten reagoi dhe ambasada amerikane. Përmes një deklarate ajo u shpreh se “një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme”, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në të njejtën linjë ka qenë dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri. Përmes një postimi në Twitter, ambasadori Luigi Soreca theksoi se “një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale, në gjendje të vazhdojë të luftojë me forcë kundër krimit të organizuar është thelbësore për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”.

 

Fraksion.com