AktualitetOp-EdTë fundit

Kush ka frikë nga Trumpi i frenuar?

Njëherë lehtësim, pastaj frikësim: Pas zgjedhjeve në SHBA, pritet që presioni politik në rritje ndaj presidentit Trump të ndihet deri në Gjermani. Së paku kështu gjykojnë shumë politikanë në Berlin.

Në zgjedhjet e Kongresit në SHBA, republikanët e Presidentit Donald Trump e humbën shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Konservatorët mbajnë kontrollin ende në Senat, dhoma e dytë e parlamentit në Uashington. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, (SPD) deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve treguan përçarjen brenda SHBA-ve. Por SHBA nuk është i vetmi vend i përçarë, i tha Maas gazetës “Neue Passauer Presse”. Kjo gjendje është “mjerisht edhe në shumë demokraci të tjera perëndimore”.

Ministri i Jashtëm u bëri thirrje europianëve që të marrin më shumë përgjegjësi. Shtetet e Bashkuara mbeten partneri më i rëndësishëm jashtë Europës, por politika e Trump-it nën moton “America first” (Amerika e para) ka bërë që Uashingtoni të tërhiqet nga marrëveshjet ndërkombëtare. Prandaj, Bashkimi Europian duhet të shfaqet më kompakt për disa çështje, si për shembull, kur bëhet fjalë për të reaguar ndaj doganave ndëshkuese.

Kontaktet me shtetet federale

Sekretarja e Përgjithshme e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, është shprehur se parashikon që Trumpi do ta vazhdojë politikën e tij dhe se me të do të konkurrojë edhe për rizgjedhjen në vitin 2020. Kandidatja për kryesinë e CDU-së është për zgjerimin e kontakteve me SHBA-të nën nivelin e presidentit, për shembull, nëpërmjet lidhjeve më të ngushta me disa shtete.

Kryetarja e SPD-së, Andrea Nahles, e përshëndet suksesin e demokratëve amerikanë. “SHBA-të janë më shumë se nxitja e frikës, yshtja ndaj pakicave dhe unilateralizmi kombëtar”, deklaron ajo. “Fakti që demokratët amerikanë kanë fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, është një lajm i mirë për ata që nuk mendojnë se kohezioni dhe forca janë kundërthënëse,  ndërsa për ne europianët rezultati i zgjedhjeve do të thotë: të mbetemi transatlantikë, por edhe të bëhemi më europianë”.

Në rrjetin e lajmeve, twitter, lideri i partisë opozitare liberale, FDP, Christian Lindner, theksoi se SHBA është një vend i ndarë, por demokratik. Zgjedhësit “nuk janë Trumpi, por ata nuk janë as të gjithë kundër Trumpit. Nata nuk ka sjellë asnjë fitimtar, por një detyrim për bashkëpunim. Nuk do të bëhet më lehtë për ne, sepse tani fillon fushata e zgjedhjeve presidenciale”.

Ndërsa kryetarja e së majtës (Die Linke), Katja Kipping, e sheh fitoren e pjesshme të demokratëve si një sinjal pozitiv. Në twitter ajo e quan rezultatin “sinjale shprese nga SHBA-të”.

Pritet të rritet presioni nga Shtëpia e Bardhë

Analiza më të detajuara japin politologët gjermanë. Drejtorja e Këshillit gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë, (DGAP), Daniela Schwarzer, tha në një intervistë për DW se fakti që Dhoma e Përfaqësuesve kalon në dorë të Demokratëve është një lajm i mirë. Megjithatë, nga këndvështrimi europian do të kishte qenë më mirë sikur demokratët të fitonin edhe në Senat, sepse atëherë do të thoshte “një kontroll më i fortë i Presidentit nga demokratët”.

Schwarzer pret që Trumpi do të përpiqet ta “implementojë agjendën e tij edhe më me forcë, duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve”. Si rrjedhojë, Gjermania mund të përballej me një presion më të madh nga Shtëpia e Bardhë për sa i përket tregtisë. “Trumpi u sfidua nga Gjermania në sektorin e tregtisë dhe energjisë”, tha ajo duke pasur parasysh Gazsjellësin e Veriut (Nord Stream), i cili do ta furnizojë Gjermaninë nga Rusia nëpërmjet Detit Baltik.

 

Fraksion.com