Tërmet në Hetimin Tatimor në Shkodër: Shkarkohen 21 inspektorë dhe drejtori
Tërmet në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Shkodër.
Raportohet se janë shkarkuar nga puna 22 inspektorë dhe drejtori, pas denoncimeve të qytetarëve në platformën e bashkëqeverisjes
Rezultatet janë bërë publike nga Ministrja e Drejtësisë, që është njëkohësisht dhe Koordinatorja e Struktura Antikorrupsion, Etilda Gjonaj
Gjonaj, u shpreh se “janë rekomanduar gjithsej 36 masa disiplinore, prej të cilave 21 largime nga puna dhe 14 vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”.
Deklarata
Strukturat Antikorrupsion nën drejtimin e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion ka vijuar punën për zbatimin e planit të veprimit të miratuar nga qeveria.
Në këtë kuadër Task Forca Antikorrupsion gjatë javës që kaloi ka kryer një kontroll të thelluar në Drejtorinë e Hetimit Tatimor – Rajoni Verior Shkodër.
Një denoncim i kryer në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al ka qenë edhe në këtë rast pikënisja e këtij kontrolli të ushtruar nga Task Forca Antikorrupsion, me objekt verifikimin e zbatimit të kuadrit ligjor në marrjen e masave administrative ndaj subjekteve ekonomike dhe ekzekutimin e tyre.
Gjatë kontrollit janë konstatuar një sërë shkeljesh të ndryshme të cilat lidhen me mosrespektimin e kritereve ligjore, shkelje të rregullave të inspektimit apo mangësi në plotësimin dhe mbajtjen e dokumentacionit përkatës.
Nga kontrolli në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Shkodër, për shkeljet e konstatuara, në raportin përfundimtar janë rekomanduar gjithsej 36 masa disiplinore, prej të cilave 22 largime nga puna dhe 14 vërejtje me paralajmërim për largim nga puna.
Është rekomanduar largimi nga detyra për:
- Drejtorin e Drejtorisë së Hetimit Tatimor – Rajoni Verior Shkodër
- 21 inspektorë të hetimit tatimor.
Ndërkohë janë rekomanduar vërejtje me paralajmërim për largim nga puna për:
- 1 Përgjegjës Sektori i Zbatimit
- 13 inspektorë të hetimit tatimor;
Ndërkohë ka vijuar bashkëpunimi shumë i mirë i Task Forcës Antikorrupsion me Policinë e Shtetit, Prokurorinë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese në vend.
Nga strukurat e Policisë së Shtetit gjatë javës së kaluar janë evidentuar 13 vepra penale në fushën e korrupsioni dhe vepra penale kryer nga punonjes shtetërore publikë.
Nga Policia e Shtetit janë proçeduar penalisht 26 autorë, nga të cilët:
7 prej tyre janë të arrestuar dhe ndaluar;
17 autorë ndiqen në gjendje të lirë;
dhe 2 prej tyre janë shpallur në kërkim.
Ndër personat e ndaluar janë 4 ish-punonjës të ZVRPP Kavajë, për të cilët Gjykata e Apelit Durrës, ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ndërkohë nga ana e Policisë së Shtetit janë referuar materialet në Prokurori për:
- 1 Ish-kryetar komune në Lezhë;
- 2 Ish-komisionerë për ndarjen e tokave në Velipojë të Shkodrës;
Të gjithë këta persona akuzohen për veprat penale si:
- “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”
- “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”
- “Shpërdorimi i detyrës”
- “Falsifikimi i dokumenteve”
Ne jemi të ndërgjegjshëm se lufta kundër korrupsionit, është një sfidë e vazhdueshme dhe komplekse që nuk mund të kufizohet as në kohë e as në hapësirën e kontrollit.
Por jemi po ashtu të bindur, dhe rezultatet e fundit siç është rasti i Drejtorisë së Hetimit Tatimor në Shkodër na i kanë konfirmuar, se me një bashkëpunim të mirë me publikun mund të arrijmë ta bëjmë edhe më efikase këtë luftë.
Prandaj do të vazhdojmë të jemi shumë të ndjeshëm dhe të gatshëm për të reaguar me shpejtësi ndaj çdo ankese, denoncimi apo informacioni që do të na vijë nga qytetarët në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqë duam.al, të cilët nuk do të rreshtim së ftuari për të qenë pjesë e këtij koalicioni të madh antikorrupsion.
Fraksion.com