AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Ka filluar të mbillet fara e vetëdijes në administratë

Kryeministri Edi Rama deklaroi paraditen e së mërkurës se po rritet numri i zgjidhjes së problemeve të qytetarëve që i drejtohen platformës së bashkëqeverisjes.

Janë rreth 17 mijë raste të cilat janë adresuar në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al dhe kanë gjetur zgjidhje, tha Rama, ndërsa në takim u prezantuan edhe rastet e suksesshme të funksionimit të platformës.

“Ne jemi vërtetë të inkurajuar nga fakti që numri i qytetarëve që i drejtohen platformës rritet. Jemi po ashtu krenarë për faktin që po i afrohemi 17 mijë rasteve të adresuara konkretisht dhe zgjidhjeve, të cilat përndryshe mund të ishin vonuar ende më tepër ose mund të ishin ende sot duke u zvarritur”, tha Rama.

Kryeministri theksoi faktin se qytetarët shprehen të kënaqur me këtë ndërveprim, ndërsa vlerësoi edhe qytetarët që janë të gatshëm të dëshmojnë konkretisht për eksperiencën e tyre.

“Vihet re një rritje e rasteve të zgjidhura dhe kjo lidhet me presionin e bashkëqeverisjes, por edhe me faktin se ka filluar të mbillet fara e vetëdijes në administratë. Ky presion sjell një përmirësim, sepse i jep qytetarit një fuqi tjetër”, shtoi Rama.

 

Fraksion.com