Kosova rrit taksat për mallrat serbe
Qeveria e Kosovës u vendosi taksa shtesë mallrave të Serbisë. Reagon BE dhe Beogradi, i cili thotë se veprimi i qeverisë së Kosovës pamundëson dialogun.
Qeveria e Kosovës vendosi të martën që t’u verë taksa shtesë produkteve të Serbisë që hyjnë në Kosovë, si një kundërpërgjigje ndaj siç thuhet “fushatës së egër të Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”. Me masën shtesë të taksës prej 10 përqind për mallrat e Serbisë, por dhe të Bosnjës e Hercegovinës, qeveria e Kosovës tenton që ta godasë edhe Bosnjën për shkak se ky vend ballkanik nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Kosovës, Serbia eksporton mallra në Kosovë në vlerë prej rreth 400 milionë euro në vit.
E pikërisht për këtë, zëvëndëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, shkroi në rrjetin social se “qeveria e Serbisë me parat e fituara në Kosovë, po lobon gjithandej për të dëmtuar shtetësinë e Kosovës”. “Nuk ka normalizim të marrëdhënieve me Serbinë nëse ajo vazhdon fushatën e saj agresive kundër Kosovës. Masat ekonomike janë vetëm hapi i parë. Nëse Bashkimi Evropian nuk shfrytëzon ndikimin për t’i dhënë fund veprimeve destruktive të Serbisë, ne jemi të detyruar të veprojmë vetë,” tha Enver Hoxhaj.
Reagon Bashkimi Evropian
Vendimi i qeverisë së Kosovës ka shqetësuar Bashkimin Evropian dhe Beogradin zyrtar. Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, tha për mediet lokale në Prishtinë se “veprimi i qeverisë së Kosovës është shkelje e obligimeve të Kosovës sipas marrëveshjes së CEFTA-s.
Ashpër ka reaguar Beogradi zyrar i cili thotë, se me vendosjen e taksës shtesë prej 10 përqind për mallrat serbe dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës, qeveria e Kosovës ka pamundësuar vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në një konferencë për medie pas vendimit të Prishtinës tha se “lufta tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është konflikt i drejtpërdrejtë me normalitetin”.
Serbia: Kosova ta tërheqë vendimin
Mediet serbe citojnë Marko Gjuriq që thekson, se “askush nuk mund ta ndalojë asnjë qarkullim të mallrave, as rrjedhjen e kapitalit. Duhet ndaluar dhuna ligjore dhe ekonomike e Prishtinës, është e nevojshme që Kosova ta tërheqë vendimin. Qeveria e Serbisë po merr të gjitha masat në CEFTA dhe Komisionin Evropian, për t’i informuar në lidhje me veprimin e Prishtinës”,
Megjithë këto reagime, shefi i diplomacisë kosovare Behxhet Pacolli thotë se “sot ka filluar aplikimi i një qasje proporcionale ndaj Serbisë, dhe nëse është nevoja edhe përshkallëzuese, përmes së cilës Serbia do ta kuptojë që për cilëndo sjellje të saj negative, dëmtuese dhe cënuese ndaj Kosovës, do të ketë një çmim, të cilin do ta paguaj fillimisht”.
Vendimi i qeverisë së Kosovës për një taksë shtesë për mallrat e Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës, ndodhi gjatë kohës kur në Prishtinë qendronte kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz. Ky i fundit inkurajoi Prishtinën dhe Beogradin që të arrijnë një marrëveshje për përmirësimin e raporteve, ndërsa shprehu qëndrimin e Austrisë që ajo “përkrah ҁfarëdo marrëveshje që arrijnë Prishtina dhe Beogradi, qoftë ajo edhe me shkëmbim teritori apo korrigjim kufiri”./DW
Fraksion.com