Tirana hedh kandidaturën për t’u zgjedhur “Kryeqyteti Europian i Kulturës 2024”
Bashkia e Tiranës ka hedhur kandidaturën për të qenë qendra e kulturës në Europë. Pasi mori pjesë në Konferencën e parë të Kryeqyteteve që po zhvillohet në Firence, kryetari i bashkisë Erjon Veliaj tha se ky ishte momenti më i mirë që kryeqyteti i shqipërisë të përfshihej në garë.
“Shqipëria ka aplikuar për të qenë kandidate në vitin 2024, ndaj e kemi shfrytëzuar këtë mundësi të shkëlqyer të gjithë kryeqyteteve evropiane të kulturës në të kaluarën, për të lobuar për kandidaturën tonë. Falë kontributit të mikut tonë, Dario Nardella, kryetar i Bashkisë së Firences, qytetit tonë binjak, besoj se Shqipëria ka shanse shumë të mira, duke qenë se do të ketë edhe mbështetjen e këtyre qyteteve në përgatitjen e kandidaturës së saj për vitin 2024.”
Veliaj shprehu bindjen se falë përgatitjeve që tashmë kanë nisur, do të kemi një tjetër histori suksesi.
“Si të gjitha qytetet që kandidojnë për të qenë mikpritës të Lojërave Olimpike, Kampionatit Botëror të Futbollit apo të aktiviteteve të ndryshme, përgatitjet fillojnë vite më përpara. Ndaj, po i fillojmë përgatitjet 4-5 vite përpara, që kur të kemi edhe infrastrukturën, edhe buxhetin e nevojshëm, plus ndihmën që vjen nga Komisioni Evropian, besoj do të prodhojmë një histori tjetër suksesi për Tiranën tonë.”
Sa i përket vitit të ardhshëm kryebashkiaku theksoi se në buxhet i është dhënë një rëndësi e veçantë kulturës.
Fraksion.com