SHBA, një ditë para zgjedhjeve për në Kongres
Kandidatët për në Kongres dhe përkrahësit e tyre të profilit të lartë po përdorin ditën e fundit të fushatës, të hënën, për të tërhequr votuesit, ndërsa partitë e mëdha politike luftojnë për kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet që bien në mes të mandatit të presidentit.
Presidenti Donald Trump kërkon që republikanët e tij të mbajnë shumicën e tyre në të dy dhomat e Kongresit, ndërsa demokratët po përpiqen të thyejnë monopolin.
Analistët politikë dhe rezultatet e sondazheve të opinionit u japin demokratëve një shans më të mirë për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve sesa në Senat. Votuesit të martën do të zgjedhin se kush do t’i mbushë të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 vendet e Senatit.
Presidenti Trump bën të hënën fushatë në Ohajo, Indiana dhe Misuri.
Para se të udhëtonte të dielën për fushatë në Xhorxhia dhe Tenesi, presidenti Trump shprehu optimizëm për perspektivat e partisë së tij.
“Mendoj se ne do të dalim mirë në Dhomën e Përfaqësuesve, por siç e dini, fokusi im kryesor ka qenë Senati dhe mendoj se përpjekjet tona do të japin rezultate të mira në zgjedhjet për në Senat,” tha ai.
Donal Trump tha në një tubim në Xhorxhia se votuesit duhet të vendosin nëse do të ndërtojnë mbi atë që ai e quajti “begatinë e jashtëzakonshme që ne kemi krijuar” ose do të lejojmë demokratët t’i japin një goditje shkatërruese ekonomisë për të ardhmen tonë”.
Ish-Presidenti Barack Obama bëri fushatë të dielën në mbështetje të Senatorit demokrat Joe Donnelly në Indiana, duke u thënë zgjedhësve se ishte administrata e tij që filloi rimëkëmbjen ekonomike pas recesionit të rëndë që goditi vendin në vitin 2008.
Barak Obama akuzoi Kongresin e kontrolluar nga republikanët për përpjekje për të anuluar politikat e tij dhe p[r ndaljen e progresit të bërë gjatë tetë viteve të tij në detyrë.
Në një tjetër ndalesë për fushatë në Çikago, ish-presidenti Obama foli më në përgjithësi rreth votimit të së martës, duke thënë se kjo mund të ishte “zgjedhja më e rëndësishme e jetës sonë”.
“Ekziston një garë e ideve që po ndodhin tani, se kush jemi dhe çfarë lloj vendi do të jemi. Karakteri i kombit tonë është në fletëvotim,” tha Barak Obama.
Përveç garave të kongresit, 36 nga 50 shtetet e SHBA-së kanë për të zgjedhur guvernatorë të martën. Aktualisht kandidojnë 33 guvernatorë republikanë, 16 demokratë dhe një i pavarur.
Zgjedhësve gjithashtu do t’u kërkohet të votojnë për një numër iniciativash. Ato përfshijnë çështje të tilla si nëse do të legalizohet marihuana, nëse do t’u rikthehet ish-të dënuarve e drejta e votimit, nëse do të zgjerojnë mbulimin e Medicaid që ofron kujdes shëndetësor për shtresat e varfra, si dhe të përcaktojnë se çfarë lloj identifikimi duhet të kërkohet për të votuar./VOA
Fraksion.com