AktualitetTë fundit

Merr formë këndi i dytë më i madh i lojërave në Tiranë

Nga një pirg me plehra që shkaktonte ndotjen jo vetëm të  ambientit përreth, por edhe të Liqenit Artificial, pjesa jugore e  Parkut të Madh po kthehet në një shesh rekreativ të gjelbëruar e  çlodhës.

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në bashkëpunim me  Fondacionin TIKA ka vijuar punën për sistemin dhe shtrimin e rrugicave  te Sheshi i ri Rekreativ në jug të Parkut të Madh të Liqenit.

Kjo hapësirë do të ketë gjithashtu një kënd lodrash për  më të vegjlit por edhe sipërfaqe të gjelbra për të krijuar vende  çlodhëse për çdokënd që do të shëtitë buzë shëtitores së re. Puna për  gjelbërimin e kësaj zone ka nisur edhe më herët ndërsa  tani kujdesi i punonjësve të APR-së është përqendruar te rrugicat  përreth sheshit.

“Hapësira do jetë një stacion i bukur lodrash e  rekreacioni, gjelbërimi e çlodhjeje buzë shëtitores së re e pistave të  reja të vrapimit e pedalimit, si zgjidhje edhe për gjithë banorët e  Liqenit të Thatë e Saukut”, – sqaron Agjencia e Parqeve  dhe Rekreacionit. 

Sheshi i ri Rekreativ në jug të Parkut do të jetë këndi i dytë më i madh i lodrave në Tiranë pas atij në pjesën e Amfiteatrit.

 

Fraksion.com