Në pritje të dekretit, Meta: Sandër Lleshin në këmbim të KLSH-së?
Presidenti Meta po konsumon me qetësi të gjitha orët që Kushtetuta i ka dhënë për t’u menduar, në lidhje me një dekretim për ministrat e rinj.
Emri i Sandër Lleshit, presidentit i është çuar që të premten e kaluar, por shkarkimi dhe emërimi, procedurë kushtetuese që duhet dekretuar nga presidenti, nuk ka ndodhur ende.
Në institucione të ndryshme flitet për kërkesa që selia e presidentit i ka dërguar për të mbledhur informacion në lidhje me kandidatin e propozuar nga kryeministri Rama.
Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ i Ushtrisë, Shërbimi Informativ Shtetëror, gjykatat dhe prokuroria po kthejnë përgjigje. Presidenca është konsultuar edhe me juristë jashtë selisë dhe ata kanë shpjeguar se presidenti ka afat deri në mesnatën e kësaj të shtune.
Por, pikërisht kur pritej që presidenti të fliste, nga selia dolën emrat e kandidatëve për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në listën e gjatë me 34 emra, burime të ndryshme komentojnë se dy janë emrat me më shumë gjasa: Anastas Angjeli, ish-ministër socialist edhe në qeveritë ku bënte pjesë zoti Meta; si dhe Bahri Shaqiri, me një eksperiencë të gjatë në Shërbimin Informativ Shtetëror, por edhe në qeveri si përfaqësues i LSI-së.
Po a është rastësi dalja e listës me emrat e kandidatëve? Sipas ligjit, emri i kryetarit të KLSH-së do të kalojë për votim në fund në Kuvend, aty ku mazhoranca e Ramës ka shumicën. A është kjo një ftesë për dialog për emrat?
Në të kaluarën ka pasur precedentë, kur një emërim apo dekretim mbahej peng për të rënë dakord për një emër tjetër apo post tjetër. Presidenti Meta dhe kryeministri Rama, dikur aleatë, tani kanë një marrëdhënie të ngrirë, e mes tyre qëndrojnë pezull shumë çështje, por më të rëndësishmet janë emri i Sandër Lleshit, emërimi i kreut të ri të SHISH, dhënia e plotfuqishmërisë për bisedimet me Greqinë për çështjen e detit.
Mes presidentit dhe Kuvendit të kontrolluar nga Rama qëndrojnë edhe emërimet në sistemin e drejtësisë, ku këto institucione, pavarësisht Reformës në Drejtësi, kanë një peshë të madhe në vendimmarrje. A do ketë një dialog jashtë syve të publikut? Kjo mbetet për t’u parë në orët në vazhdim./TCH
Fraksion.com