AktualitetTë fundit

Ndalimi i importit të makinave të vjetra, Veliaj: Vendim për mushkëritë e fëmijëve

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi një lajm shumë të mirë vendimin e qeverisë Rama për të ndaluar importin e automjeteve më të vjetra se 10 vjet dhe krijimin e lehtësirave për ata që përdorin mjetet elektrike me zero ndotje në mjedis. Nga Njësia 7, ku prezantoi Buxhetin 2019 për banorët e zonës, por edhe bëri një bilanc të punëve të kryera në tre vitet e fundit, Veliaj tha se po shihet mundësia që dogana për mjetet elektrike të bëhet zero, si një zgjidhje për të shtuar makinat që nuk ndosin mjedisin.

“Vendimi që mori Parlamenti për të ndaluar importin e makinave më të vjetra se 10 vjet është ndoshta vendimi më i mirë që është marrë për mushkëritë e çdo fëmije në vend. Faktori i vetëm i ndotjes në Shqipëri janë makinat, kryesisht makinat rraqe që vijnë nga bota, të cilat i përdorim për të shkuar nga kafja në kafe. I jam sot shumë mirënjohës Edi Ramës, qeverisë dhe 74 votave tona në Parlament, që mundësuan këtë vendim. Tirana, si përfituesja më e madhe me 1 milionë banorë dhe 200 mijë makina, i jep fund importit të rraqeve të botës”, tha Veliaj, teksa shtoi se një nga arsyet pse kryeqyteti shqiptar u vlerësua në Gjenevë nga OBSH, është se ka treguar që me vullnet mund të bëjë punë të rëndësishme.

Lajm i mirë për kryeqytetin është edhe prioriteti i qeverisë për t’i dhënë më shumë fuqi transportit alternativ, kryesisht autobusëve dhe makinave elektrike. Kryebashkiaku tha se Bashkia e Tiranës është shumë pranë realizimit të këtij projekti, për të nisur puna me autobusët elektrikë. “Një lajm tjetër i mirë që na erdhi nga qeveria e Edi Ramës dhe shumica e PS në Parlament është se Komisioni i Ekonomisë dhe Financave po konsideron t’i japë më shumë fuqi transportit alternativ, duke e bërë doganën e TVSH-në zero për autobusët elektrikë, që ndosin po aq sa një celular. Kështu, hyjmë realisht në një epokë të re. Nuk ka nevojë të jemi të fundit, por ashtu si me fushatën e pemëve dhe nismën për më shumë korsi biçikletash po dalim të parët në rajon, ashtu edhe me autobusët elektrikë kemi një shans fantastik të shkëlqejmë si një vend e qytet modern”, tha Veliaj.

Mandej, ai shtoi se Bashkia e Tiranës do të nisë pilotimin e një segmenti të Unazës së Katërt, kushtuar transportit publik dhe biçikletave, për t’i dhënë qytetit një brez të gjelbër, që do të lehtësojë edhe transportin. Ky segment do të lidhë fillimisht Rr. “Ndre Mjeda” me Rr. “Dritan Hoxha”: “Unaza 4-rt është mes unazës klasike të Tiranës dhe Unazës së Madhe. Do bëjmë një segment të parë të Unazës së 4-rt, e cila është konceptuar kryesisht për transport publik, pra për të futur të paktën një linjë autobusi midis Unazës 3 dhe 5, si dhe kryesisht për transport me biçikleta, për t’i dhënë Tiranës një brez të gjelbër, ku mund të bëhet e gjithë unaza pa u dyndur në trafikun e përgjithshëm që ka unaza e madhe, ose unaza e 3-të”, deklaroi Veliaj.

Ai renditi edhe një sërë investimesh të tjera të parashikuara për vitin 2019 në Njësinë 7. “Kemi futur në buxhet rikonstruksionin e Rr. “Kel Kodheli” dhe Rr. “Skënder Shtylla”, të cilat janë në planifikim. Ndërkohë, do ndërtojmë rrugën paralele me rrugën “Benjamin Kruta”, të gjithë bllokun që kufizohet nga Rr. “Dritan Hoxha” dhe “Ana Komnena” te ish-Fusha e Aviacionit dhe dy sheshet rekreative pas bllokut të ambasadave, te “Vëllezërit Manastirliu”, tha Veliaj.

Duke theksuar se vota për PS është një fuqi transformuese për të marrë vendime të drejta, kryebashkiaku i Tiranës kërkoi mbështetjen masive të qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme vendore, si e vetmja mënyrë që investimet dhe projektet në kryeqytet të mos ndalen. “Në momentin që ke edhe vullnet, edhe votat, gjërat bëhen. Pse nuk u bënë më përpara as nisma kundër basteve, as ajo e bonusit për bebet? Do të thotë se fuqia që të jep vota për PS, për të marrë vendime të drejta për vendin, është një fuqi që transformon realitetin dhe kjo është arsyeja pse kemi nevojë për të njëjtën fuqi në Këshillin Bashkiak”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se ashtu si qeveria kur ka një shumicë të fortë në Parlament ecën më shpejt, edhe Tirana mund të ecë më shpejt me një shumicë të PS. “Si ka mundësi që opozita nuk vjen të votojë ndihmën ekonomike, pagesat e aftësisë së kufizuar, bonusin e qirasë, strehimin social, pa le për autobusët elektrikë që s’do t’ia dijë fare; nuk vjen as për investimet në shkolla, as për buxhetin, vetëm me shpresën që Bashkia e Tiranës të mos bëjë dot kuorumin. Do ta lemë veten dhe fatin e këtij qyteti në dorën e këtyre njerëzve të papërgjegjshëm apo do të themi: E di çfarë? Tirana ka nisur mbarë, por ashtu si qeveria kur ka një shumicë solide në Parlament ecën më shpejt, edhe Tirana jonë mund të ecë më shpejt me një shumicë të Partisë Socialiste. Ne punojmë si skuadër në qeveri, punojmë si skuadër në bashki, punojmë si skuadër në këtë njësi”, tha ai.

Në këto tre vite, Bashkia e Tiranës i ka kushtuar vëmendje të veçantë edhe përmirësimit të infrastrukturës për institucionet e edukimit, duke filluar nga çerdhet, kopshtet dhe shkollat. “E filluam nga Kopshti nr. 2 te rruga “Frederik Shiroka”; kopshti “Piter Pan”, kopshti nr. 17 te “Myslym Shyri”; rikonstruksion total dhe mobilim kopshti “Yjet”; kopshti nr. 26; kopshti i Diellit, kopshti nr. 64 te ish-fusha e Aviacionit “Xixëllonjat”; çerdhja nr. 17 te rruga “Kongresi i Lushnjes”, pranë shkollës “Naim Frashëri”; çerdhen nr. 24 te Rr. “Muhamet Gjollesha”, çerdhen nr. 61 aty ku është Fusha e Aviacionit dhe sistem ngrohje në çerdhen nr. 47 te rruga “Myslym Shyri”, u shpreh Veliaj. Lajmi tjetër i mirë është ai i fillimit të ndërtimit të dy shkollave të tjera, njëra pranë zonës së Astirit tek Dogana, kurse tjetra pranë Rr. “Dritan Hoxha”, ndërkohë që do të vijojë puna me fazën e dytë të shkollës “Dhora Leka”, rikonstruksionin e shkollës “Gustav Majer” dhe rikonstruksionin e shkollës “Sabaudin Gabrani”.

Një vëmendje të veçantë Bashkia i ka kushtuar edhe mbështetjes sociale për shtresat më në nevojë duke filluar që nga dhënia e ndihmës ekonomike apo skemat e strehimit, e deri tek mensat sociale, ku tashmë në të gjithë kryeqytetin janë 7 të tilla. Veliaj vlerësoi zgjedhjen e administratorëve si të një rëndësie të veçantë dhe ftoi banorët që të aplikojnë për të përfituar nga Fondi për Komunitetin. “Ne kemi një fond të investimeve për të gjithë pallatet, ku administratori thotë: Ne si banorë gjysmën, ju si bashki gjysmën tjetër, ta veshim me kapotë, me suva, t’i rregullojmë fasadën, t’i rrisim vlerën asaj prone. Aplikimet që kemi pasur i kemi pranuar. Nëse ka të tilla, ju lutem ky është momenti! Nëse ka pallate që duan ta bëjnë tek pallati i tyre privat një tarracë të gjelbër, siç e ka Bashkia apo Fakulteti i Ndërtimit, jemi gati ta financojmë gjysmë për gjysmë”, nënvizoi ai.

Krahas projekteve strategjike, Bashkia e Tiranës ka investuar në këto tre vite edhe në blloqe pallatesh. Një nga objektivat e Bashkisë ka qenë dhe ndërhyrja në mënyrë kapilare në çdo rrugicë. Treguesi më i qartë i këtij vullneti është rehabilitimi i plotë i 8 blloqeve vetëm në këtë njësi. Rehabilitimi i bllokut të Zogu i Zi, blloku i banimit të ambasadave, rikonstruksioni i rrugës “Shefqet Musaraj” dhe rikualifikimi i sheshit në bllokun 22, blloku midis rrugës “Muhamet Gjollesha” dhe “Myslym Shyri” e rrugës së “Kavajës”, rindërtimi i bllokut te Dogana, blloku i banimit te rruga “Frosina Plaku” janë vetëm disa prej investimeve të realizuar. Gjithashtu, është bërë rikonstruksioni i gjithë rrjetit të kanalizimeve në rrugën e “Kavajës”, nga ish-NISHRAK-u deri te Lumi i Lanës dhe ka përfunduar rikonstruksioni i rrjetit të UKT nga rruga “Muhamet Gjollesha” te zona e njohur si 21-dhjetori, si dhe në të gjithë rrugën “Naim Frashëri”.

Një nga investimet më të rëndësishme ka qenë edhe ai i ndërtimit të këndeve të lojërave, ku Njësia 7 është një nga përfitueset. “Më vjen mirë që jemi fokusuar prapë tek fëmijët, tek këto sheshet rekreative dhe këndet e lojërave. E filluam tek “Kongresi i Lushnjës”, tek NSHRAK-u, tek Rr. “Sali Butka”, sapo hapëm një kënd tjetër lojërash tek Rr. “Shefqet Musaraj” pranë bulevardit “Gjergj Fishta” dhe rehabilitimi i sheshit që ndodhet midis pallateve në Rr. “Nikolla Jorga””, tha Veliaj.

Edhe dy deputetët e PS, Blerina Gjylameti dhe Besnik Baraj vlerësuan punën e bërë në këto tre vite nga Bashkia e Tiranës dhe i bënë thirrje qytetarëve që të vijojnë mbështetjen për PS për të vijuar projektet e nisura.

 

Fraksion.com