AktualitetBota+Të fundit

Poloni: Gazetarët kritikë, damkosen

Tensionet politike në Poloni i ndjejnë edhe gazetarët, mund të ndodhë që ata të humbasin punën, kur kritikojnë qeverinë. Mediat konservatore nga ana e tyre ndjehen të sulmuara nga ato liberale.

“E vetmja gjë që mund të bëj prej një viti është grumbullimi i informacioneve dhe citateve, që gazetarët e tjerë i duan për punimet  e tyre. Një punë tërësisht mekanike.” Dorota Nygren, që ishte përgjegjëse 15 vjet me radhë për emisionet në radio nuk e gjen dot veten në punën e re në arkiv. Ajo ishte e detyruar të ndërronte punën redaksionale në radio me një punë tjetër të keqpaguar në arkiva, sepse nuk ishte në një linjë me politikën e drejtuesve më të lartë.

Gazetarët kritikë

Ajo pati guximin të kritikonte shtetëzimin e mediave publike nga partia nacional-konservatore, PiS. Para një viti, kur retorika kundër refugjatëve e PiS ishte në kulmin e saj, ajo refuzoi të bënte publike kombësinë e një marokeni, që kishte sulmuar në Itali një prift katolik. “Kjo do ta stigmatizonte këtë njeri. Kombësia apo orientimi seksual i dikujt do duhet të bëhet publik, kur është pjesë e historisë së rrëfyer. Në këtë rast nuk ishte”, shpjegon Nygren. Me këtë ajo kundërshtoi drejtuesit, që kërkonin bërjen publike të kombësisë në raste të ndjekjes penale. Në Gjykatën e shkallës së parë të Varshavës po zhvillohet një proces gjyqësor, në të cilin gazetarja akuzon punëdhënësit për diskriminim kombëtar.

Dorota Nygren (privat)Dorota Nygren

Përçarja e botës mediatike

Dorota Nygren është nga të paktët që nuk e ka humbur vendin e punës pas konfliktit me drejtuesit me qëndrim miqësor ndaj qeverisë. Nga viti 2015 disa qindra gazetarë në situata të ngjashme janë larguar nga puna. Avokati i Popullit, Adam Bodnar vëren një politizim në rritje në media. “Madje vetë gazetarë të pavarur, të cilët thjesht duan të bëjnë punën siç duhet, shihen tani si përfaqësues të një krahu politik të caktuar”, thotë Bodnar në bisedë me Deutsche Wellen. Ai e sheh këtë si një “mënyrë faesfisnore të menduari” dhe një “gazetari e identitetit”, sepse gazetarët shpesh identifikohen shumë hapur me një parti politike apo ideologji.

Kështu disa media konservatore kthehen në zëdhënëse të flakta të qeverisë, ku bën pjesë edhe një retorikë antigjermane. Madje vetë Bodnar u sulmua pas një interviste për Deutsche Wellen mbi gjendjen e shtetit ligjor në Poloni, se mbron interesat gjermane dhe jo polake. Prandaj ai nuk është i habitur, që Deutsche Welle u vu në shënjeshtër në mediat polake pas forumit të diskutimit mes presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe kreut të shtetit polak, Andrzej Duda.

Polen Ombudsmann Adam Bodnar auf dem 4. Europäisches Kongress der Lokalregierungen in Krakau (DW/A. M. Pedziwol )Adam Bodnar

Debati i presidentëve

Ky debat që u trajtua gjerësisht në portalet nacional-konservatore në Poloni, u zhvillua në kuadër të Forumit Gjermano-Polak në Berlin dhe u moderua nga gazetarja e DW-së, Rosalia Romaniec dhe Piotr Legutko i televizionit shtetëror polak, TVP. Romaniec e pyeti ndër të tjera presidentin polak për propozimin e tij për zgjidhje në grindjen mes Polonisë dhe BE për shtetin ligjor. Përgjigjet e tij shkaktuan habi në publik sidomos vërejtjet se, mediat polake janë më të lira se ato gjermane, sepse raportojnë më gjerësisht për ngacmimin seksual të femrave nga migrantët.

Mediat pro qeverisë në Poloni e akuzuan, gazetaren e DW-së, Romaniec, se shtron pyetje të papërshtatshme dhe nuk ka respektuar, temat për të cilat ishte rënë në ujdi më parë.” Reagime të tilla kaq të forta në mediat besnike ndaj qeverisë në Poloni më kanë habitur. Kjo është përpjekje për të frikësuar ata që pyesin në mënyrë kritike. Unë i shtrova një pyetje presidentit polak, që shumë të ftuar në sallë do ta bënin.” Madje nuk pati ujdi paraprake për temat, vetëm ndarje të temave mes dy moderatorëve. “Kolegu im do duhej të pyste për historinë, unë për Europën”, thotë Romaniec. Pas deklaratave të kreut të shtetit polak, që shkaktuan debate të forta në Poloni edhe gazetarja Rosalia Romaniec iu ekspozua në media sulmeve dhe fyerjeve.

Debatte Steinmeier Duda Berlin (DW/K. Kroll)Debati në Forumin Gjermano-Polak, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe ai polak, Andrzej Duda nën moderimin edhe të gazetares së Deutsche Welle-s, Rosalia Romaniec

Qëndrimi i Shoqatës së Gazetarëve Polakë

Për gjendjen e mediave polake shprehet me shqetësim edhe organizata ndërkombëtare “Reporterë pa kufij”. Në indeksin e këtij viti Polonia zë vendin e 58-të, një rënie me 40 vende. Në raportin e organizatës bëhet fjalë për “një verbim nga politika” dhe se “liria e medias është një viktimat e para të reformave të PiS”. Për Jolanta Hajdasz, kryetarja e Shoqatës së Gazetarëve Polakë, që aktualisht dominohet nga përfaqësues të mediave konservatore, raporti ka “karakter ideologjik. “Liria e mediave nuk ka qenë asnjëherë kaq e madhe sa sot, sepse tani dëgjohen edhe zëra që më parë nuk dëgjoheshin”, thotë ajo. Sipas saj rrezik ka në censurimin e disa përmbajtjeve. Shoqata polake akuzoi psh. google, në verë se përmbajtjet e krishtera dhe patriotike i mënjanon nga faqja.

 

Fraksion.com