Merkel, letër Mustafës, për kufijtë: Brengosje e madhe
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel i është përgjigjur kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa përmes një letre, në të cilën sipas LDK-së thekson brengën lidhur me debatin rreth ndryshimit të kufijve.
Merkel në këtë letër ka shkruar edhe rreth çështjes së liberalizimit të vizave, ku thotë se është e vetëdijshme sa e rëndësishme është arritja e udhëtimeve pa viza për qëllime turizmi për Kosovën, duke njoftuar kështu që konsultimet e shteteve anëtare të BE-së rreth kësaj çështjeje janë duke vazhduar.
“Edhe nga këndvështrimi im është shumë me rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve. Debatin rreth ndryshimit të kufijve edhe unë, sikurse ju po e përcjell me brengosje të madhe”. Është kjo përmbajtja e letrës që kancelarja gjermane Angela Merkel i ka dërguar kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Sipas deklaratës të shpërndarë për media nga LDK, Merkel falenderon kryetarin e kesaj force politike, për shkresën e datës 28 shtator 2018, me të cilën e kishte njoftuar lidhur me qëndrimet e tij rreth dialogut në mes të Serbisë dhe Kosovës.
Në letrën drejtuar Mustafës, Merkel është ndalur edhe në liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Unë jam e vetëdijshme sa e rëndësishme është arritja e udhëtimeve pa viza për qëllime turizmi për vendin tuaj. Thelbësore për Gjermaninë në këtë rast është plotësimi pa përjashtim i të gjitha kritereve, para se mund të jepet liberalizimi i vizave. Konsultimet e shteteve anëtare të BE-së rreth kësaj çështjeje janë duke vazhduar”, shkruan Merkel
Në shtator të këtij viti kreu i LDK-së, Isa Mustafa iu drejtua përmes një letre kancelares Merkel lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Fraksion.com