AktualitetTë fundit

Zv.ministër i Arsimit: Shkencëtari që denoncoi paraardhësin e tij për plagjiaturë

Taulant Mukës, shkencëtari shqiptar në fushën e mjekësisë që jeton e vepron prej pak vitesh në Kopenhagen të Danimarkës, do t’i duhet tashmë të shkëputet disi nga impenjimet e tij në fushat e kërkimit shkencor për t’u fokusuar në rolin e zv.ministrit të Arsimit në qeverinë e kryeministrit Rama.

Ka qenë pikërisht vendimi i miratuar këtë të mërkurë gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, sigurisht me propozim të vet kryeministrit, ai që shkarkon nga detyra ish-zv.ministrin e Arsimit dhe ish-zv.rektorin e Universitetit të Tiranës, Ervin Demo, për ta zëvendësuar atë me kërkuesin Taulant Muka. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.

“EMËRIM NË DETYRË – Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Z. Taulant Muka emërohet zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, lexohet në njërin prej vendimeve të ditës së sotme.

Taulant Muka ka qenë i ftuar edhe në emisionin “Top Show” në ekranin e Top Channel gjatë prillit të këtij viti, emision gjatë të cilit denoncoi se rreth 80 për qind e anëtarëve të Akademisë së Shkencave kanë zero publikime shkencore. Ndërkohë, akuza më e rëndë prej tij erdhi për zv.ministrin e Arsimit në detyrë deri më sot, Ervin Demo, të cilin e bënte fajtor për plagjiaturë.

Shkencëtari Muka tregoi edhe sesi i kishte bërë “shkencëtare” dy gjyshe, duke publikuar artikuj të sajuar në revista aspak prestigjioze për akademikë, aty ku kishin publikuar edhe shumë prej personaliteteve shqiptare me tituj të lartë studimi./tch

 

Fraksion.com