AktualitetPolitikëTë fundit

Tahiri: Italia e tha fjalën e fundit; Pres drejtësinë në Shqipëri

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi se tani që Italia e tha fjalën e saj të fundit për të, duke e nxjerrë të pastër, pret që fjalën e fundit ta thotë edhe drejtësia shqiptare.

“Janë 6 muaj nga hera e fundit që kam folur për mediat dhe më shumë se një vit nga koha që ka nisur. Kam heshtur në respekt të hetimeve dhe pse i vetmi që ka heshtur jam unë. Nëse do kisha zgjedhur të bëja politikanin nuk do i kisha lënë rrënjë e as dhëmballë të gjithë atyre që kanë folur pa kursyer as ata që kanë hetuar. Unë zgjodha të mos bëja politikanin siç kanë bërë të gjithë ata që kanë qeverisur. kanë vrarë, kanë vjedhur dhe nuk janë hetuar, gjykuar kurrë por kanë marrë me libër llogarie dhe libër shtëpie, prokuror e gjyqtar, media e gazetarë deri sa kanë dalë pa lagur. Zgjodha të bëj qytetarin e thjeshtë, të mos bëj politikë e të pres hetimet. Për fat të keq i vetmi që kam heshtur jam unë”, tha Tahiri.

Ai tha se çështja e tij është hetuar nga 7 prokurorë dhe se nuk është thirrur asnjëherë për një vit.

“Unë sot kam vendimin e gjykatës ku thuhet se pushohen hetimet për Saimir Tahirin sepse nuk ka lidhje me asnjë aktivitet të paligjshëm. Dora e zezë e shpërndau në disa media.
Ajo që ka rëndësi sot është vetëm një gjë. Unë u akuzova dhe nuk bëra politikë, nuk u fsheha, nuk sajova. Unë u përballa. Sot jam i vetmi politikan shqiptar që vetëm sepse përmendet në bisedat e disa politikanëve hetohet dy herë jo njëherë.
Rezultati është ky sot që autoritetet italiane me vendim të formës së prerë kanë mbyllur hetimet sepse nuk kam asgjë të paligjshme.
Jam i vetmi politikan që vetëm pse u përmenda nga disa trafikantë dhashë dorëheqjen nga mandati i deputetit.
Unë ua bëra qejfin më shumë e kërkova hetim vetë nga antimafia italiane. Ata më dërguan vendimin zyrtar se kanë pushuar hetimin ndaj meje.

Nuk e di nëse do ketë njeri kurajë që të thotë se unë e kam blerë këtë vendim apo më keq e ka blerë Edi Rama që ruajna Zot ka fuqi të blejë gjykatat italiane. Ky është një lajm i mirë për familjen time dhe ata që më kanë besuar çdo ditë.
Janë 7 prokurorë që po e hetojnë këtë proces. Që pas hetimit për 3 mijë të vrarë në 1997 nuk mbaj mend të jenë angazhuar kaq prokurorë në një hetim.
Kam duruar një vit gënjeshtra pa fund. Unë them boll, tani nuk kam më çfarë pres. Nëse nuk mjaftojnë më 7 prokurorë bëjini 70 dhe tregoni të drejtën.
Unë i jam ofruar prokurorisë që ditën e parë dhe do vazhdoj ta bëj pa hezitim. Nuk më ka humbur durimi dhe nuk do e humbas kurrë. U bë një vit nga hetimi dhe Prokuroria nuk më ka thirrur njëherë”, u shpreh Tahiri.

Ai sulmoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PD-së Lulzim Basha që sipas tij vodhën e vranë dhe as nuk u hetuan dhe as nuk u dënuan.

“Unë nuk jam Lulzim Basha, kriminel ordiner që vodhi e vrau bashkë me Berishën dhe nuk janë hetuar, nuk janë gjykuar e nuk janë dënuar.
Dalin e thonë se Edi Rama po mbyll hetimin për mua që pika nuk iu bie. Nuk e dinë që drejtësia e blerë për mua, qoftë dhe nga Edi Rama është më keq se çdo dënim. Por unë nuk e kam të largët dhe as shqiptarët nuk e kanë të largët natën kur luli me Saliun i shkuan në shtëpi Metës dhe tallnin dhe gurabijen me popullin duke thënë se sa mirë kishte gatuar Monika”, tha Tahiri.

Më 29 tetor, ish-ministri depozitoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda bashkë me avokati i tij Maks Haxhia disa prova të reja, siç i quajti ai.

“Paraqita diçka me rendësi deçizive për procesin, por do kërkoj mirëkuptimin tuaj. Do flas pas 2-3 ditësh më konkretisht, ndaj më vjen keq që keni ardhur”, tha Tahiri të hënën. Ndërkohë, pyetjes nëse ish-ministri ka frikë se do të merret i pandehur, Tahiri iu përgjigj shkurt; “Nuk kam frike. Kam mbi një vit që dëgjoj pafundësisht dhe kam heshtur, prisni ju dy ditë”, duke paralajmëruar kështu lajme të reja.

Ndërkohë drejtësia italiane në Katania me një vendim të datës 5 tetor të këtij viti ka vendosur mbylljen e hetimit ndaj ish ministri të brendshëm Saimir Tahiri. Sipas dokumentave të sigurara më 15.03.2018, në përfundim të hetimeve që zgjatën thuajse 5 muaj, Prokuroria e Antimafies në Itali i ka kërkuar Gjykatës Italiane të mbyllë hetimet për Tahirin me arsyetimin se “nuk ka elementë” të përshtatshëm për të mbështetur akuzën”.

 

Fraksion.com

 

 

Fraksion.com