AktualitetBota+Të fundit

OKB voton për heqjen e embargos ekonomike ndaj Kubës

Vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara mbështetën me forcë heqjen e embargos ekonomike, tregtare dhe financiare që Uashingtoni i ka vendosur Kubës prej më shumë se gjysëm shekulli, duke thënë se kjo është pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit ishull.

“Embargoja është një shkelje flagrante masive dhe sistematike e të drejtave të njeriut në Kubë”, tha ministri i Jashtëm i Kubës Bruno Rodriguez Parrilla në Asamblenë e Përgjithshme. “Ka qenë dhe mbetet pengesa kryesore për mirëqenien dhe prosperitetin e disa brezave”, tha ai.

Asambleja votoi me 189 vota pro për t’i dhënë fund bllokadës dhe me vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli votuan në favor të vazhdimit të saj. Asnjë vend nuk abstenoi ndërsa përfaqësuesit e Moldavisë e Ukrainës megjithëse të pranishëm, nuk votuan.

“Sot nuk ka fitues, ka vetëm humbës”, tha e dërguara e SHBA-së Nikki Haley. “Kombet e Bashkuara kanë humbur. Refuzuan mundësinë për të folur në emër të të drejtave të njeriut. Karta e Kombeve të Bashkuara angazhon çdo vend këtu në promovimin e paqes, sigurisë dhe të drejtave të njeriut dhe ajo u tradhtua sot”, tha ambasadorja Haley.

Gjatë 27 viteve të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është mbajtur një votim i përvitshëm duke dënuar bllokadën ekonomike, tregtare dhe financiare e imponuar në vitin 1962 gjatë Luftës së Ftohtë.

Votimi është kryesisht simbolik, pasi Asambleja e Përgjithshme nuk ka fuqinë për t’i dhënë fund embargos, fuqi të cilën e ka vetëm Kongresi amerikan. Por votimi thekson izolimin e Uashingtonit lidhur me këtë çështje. Ambasadorja Haley tha se Shteteve e Bashkuara nuk u intereson fakti nëse janë të izoluara lidhur me këtë çështje.

“Për ne nuk përbën asnjë problem fakti që qëndrojmë të vetëm pas çështjeve tek të cilat besojmë dhe do ta bëjmë me krenari përsëri sot, nëse do të jetë e nevojshme,” tha zonja Haley përpara votimit.

Më shumë se tridhjetë e gjashtë vende dhe përfaqësues të grupeve rajonale morën fjalën gjatë punimeve të asamblesë, në një debat që filloi të mërkurën dhe përfundoi të enjten me një votim. Shumë argumentuan se embargoja bie në kundërshtim me kartën e Kombeve të Bashkuara dhe parimet e organizatës./VOA

 

Fraksion.com