AktualitetLife StyleTë fundit

Mira Kazhani: Sikur të ishin të gjithë mafiozët si ai!

E gjej në një nga dhomat e vilës së Enverit (shtëpia e diktatorit Enver Hoxha) me cigare, pak nervoz, mes fletëve format A4, duke punuar me skenarin. Pas disa minutash, Remo Girone vjen dhe nuk e ka më atë çehren e vrenjtur.

-Kam qenë 11 vjeç kur shihja Oktapodin.

– Më kishe frikë?

– Pak, por tani që shohim si janë mafiozët, ke qenë shumë interesant. Sa vjeç ishe?

– Kam qenë 34 -35 vjeç kur xhirohej Oktapodi.

– Po Esterin, e takon më? E pyes unë si fëmijë.

– Jo, por tani nuk është më ajo vajza e vogël. Atëherë ishte shumë e re, e sillte mamaja në xhirime, – tregon ai për Esterin e bukur me kaçurrela, që sigurisht brezi i ri s’e di për kë bëhet fjalë sot, ata që kanë jetuar vitet ’80, po!

Ai mbetet për publikun shqiptar dhe italian i keqi i “La Piovra”-s, edhe pse së fundmi është i gëzuar për filmin përkrah Ben Affleck apo dhe një tjetër me Matt Damon, ku luan Enzo Ferrarin. Por Tano Cariddi është marka e tij. Në Tiranë, siç mund ta keni dëgjuar, ndodhet për xhirime.

– Në Shqipëri jeni për një film që bazohet në një histori të vërtetë. Dashuria e një djali shqiptar me vajzën e ambasadorit italian. Ju luani ambasadorin? – E pyes unë.

-Po, është një film që vjen nga një histori e vërtetë. Luaj bashkë me gruan time (Victoria Zinny, një aktore dhe grua shumë simpatike tek të ’70-at). Jemi prindër të butë dhe liberalë në film.

-Po në jetë, si je? Qëparë m’u dukët i sertë…

-Në punë jam ashtu. Jo, nuk jam ai Tano që ke në mendje ti.

-A keni qenë ju aktor komik?

-Joo, kam luajtur edhe komedi por jo komik.

-Cilët janë filmat e tu të preferuar?

-Të gjithë, nuk i ndaj.

Remo Girone, që m’u duk i largët në pamje të parë, dhe që kisha dëshirë t’i jepja një përqafim, papritur nisi të ndezë cigare një pas një dhe nuk po ngrihej nga kolltuku i vjetër dysh i kohës së komunizmit.

Është një burrë i thinjur sot dhe nuk e ka idenë çfarë përfaqëson ai për ne. I tregova se në Shqipëri po luftonim me mafian, se nuk e kemi fituar luftën me të dhe se më kujtohet gjithmonë fjalia e tij në shtëpinë në mal (fundi i Oktapodit), teksa i dorëzohej drejtësisë për të bashkëpunuar: Mafia i ka rrënjët e forta, atë nuk do ta shkulni kurrë plotësisht.

Ai qesh dhe habitet sesi një vajzë e vogël (i tregoj që kam qenë 11-vjeçare kur e kam ndjekur serialin me komisar Katanin) e kujton këtë.

“Unë kam lindur në Eritrei, në Afrikë, me prindër italianë. Në Itali kam shkuar të jetoj në moshën 22-vjeçare. Atëherë Italia ishte si Shqipëria sot: Me ushqim të mirë, njerëz mikpritës, dashuri për njëri-tjetrin. Sot Italia është nervoze, humbet çdo ditë në mohim.

Sjellja me emigrantët është e pafalshme dhe mendoj se çdo gjë po shkon për dreq. Eduardo De Filippo thoshte: Nuk e solli Mussolini fashizmin, por ishte shoqëria fashiste që votoi atë. Dhe ka pasur të drejtë. Shoqëria vendos kush të drejtojë.

Nuk mund të shohim një njeri në pushtet e të themi e bëri ai! Është shoqëria që duhet të zgjedhë. Është e vërtetë, ju keni jetuar në socializëm dhe në diktaturë, por më beso, fashizmi është i pakrahasueshëm për të keqen e tij”, -thotë Remo i shqetësuar me zhvillimet politike dhe shoqërore në Itali, duke e krahasuar sjelljen e qeveritarëve të sotëm atje si tipike fashiste.

“Fashizmi është tribal, është një mënyrë për të urryer tjetrin, është kundër bashkëjetesës dhe fajëson të dobëtin, tjetrin”.

Regjisori Namik Ajazi na bën me shenjë se duhet të nisin xhirimet. Remo duket sikur do ta vazhdonte edhe disi bisedën.

Më thotë se me Namikun njiheshin prej kohësh dhe se e kishin pasur gjithmonë në plan një bashkëpunim. Ndodhi me filmin “Portreti i pambaruar i Clara Bellinit”, bazuar në historinë e dashurisë mes një djali shqiptar dhe vajzës së ambasadorit italian në kohën e komunizmit.

Ndahemi si nxitimthi. E përqafoj, e puth në faqe dhe i them: Sikur të ishin të gjithë mafiozët si ti! (Tiranapost.al)