AktualitetKosovaTë fundit

Haradinaj: FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in e as NATO-n

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se edhe pas tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kosova do të ketë nevojë për KFOR-in dhe NATO-n.

Këto komente, Haradinaj i bëri në konferencën e organizuar nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me temën “FSK-ja dhe Partnerët”.

“FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in, sepse KFOR-i është i mirëseardhur në shtetin tonë. Prezenca e NATO-s në shtetin tonë do të jetë gjithmonë e mirëpritur. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s, duam të punojmë me ju. Me tranzicionin, FSK-ja është e gatshme të shërbejë me ju, me forcat e juaja të armatosura gjithkund në botë”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se kërcënimet që u janë bërë pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që të largohen nga kjo forcë “janë të papranueshme”.

Haradinaj tha se FSK-ja do të ruajë karakterin e shumetnicitetit dhe tha se kjo Forcë është edhe e qytetarëve serbë.

“Padyshim se tranzicioni do të sigurojë multietnicitet dhe profesionalizëm, edhe pse multietniciteti i forcës sonë po kërcënohet nga akte të dhunshme që janë të papranueshme”, tha Haradinaj.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim tri projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përmes këtyre tri projektligjeve synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj.

 

Fraksion.com