AktualitetTë fundit

RENEA ka xhiruar vrasjen. Specialët po verifikojnë aksionin: U zbatuan procedurat standarde

Të dielën në Bularat, policia zbatoi të gjitha procedurat standarte. Të paktën ky është konkluzioni paraprak i analizës së brendshme në radhët e uniformave blu dhe sidomos në repartin special RENEA, që qëlloi mbi Konstandinos Kacifan.

Sipas dinamikës së zbardhur për ngjarjen, mësohet se viktima, përveç Policisë Rrugore, ka hapur zjarr me breshëri automatiku edhe ndaj forcave “Shqiponja” të Policisë së Gjirokastrës, të cilat erdhën në ndihmë përpara se të mbërrinte RENEA. Po ashtu, mësohet se në vendngjarje forcat speciale kanë bërë fillimisht rikognicionin e zonës, e thënë ndryshe kontrollin e terrenit, për vlerësimin e situatës, si dhe një plan operacional për lokalizimin dhe neutralizimin e 35-vjeçarit.

Por, megjithëse Kacifa u lokalizua dhe me herët kishte qëlluar në drejtim të punonjësve të Policisë Rrugore dhe atyre Shqiponja, ai për 30 minuta nuk iu bind thirrjeve për dorëzim të negociatorit të RENEA-s duke hapur sërish zjarr. Të gjendur në rrezik të vazhdueshëm dhe në kushtet e nevojës ektreme për mbrojtje, efektivët e RENEA-s janë kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë, duke qëlluar mbi agresorin.

Sipas burimeve, për të hedhur poshtë çdo pretendim mbi veprimet e policisë ditën e ngjarjes, RENEA duhet të zotërojë edhe një material filmik, që parashikohet në protokollet e ndërhyrjes nga forcat speciale në të tilla ngjarje me risk të lartë.

 

Fraksion.com