Presidenti Trump dhe zonja e parë vizitojnë Pitsburgun
Presidenti amerikan Donald Trump dhe zonja e parë, Melania Trump shkuan të martën në Pitsburg të Pensilvanisë për të shprehur ngushëllime për 11 persona të vrarë nga një person i armatosur në një sinagogë të qytetit. Disa udhëheqës hebraikë donin që presidenti të mos shkonte pa dënuar më parë nacionalizmin e bardhë. Trump ka fajësuar shtypin se po nxit zemërim në vend.
Trump ka dënuar vrasjen në masë të së shtunës në sinagogën e Pitsburgut që shkaktoi vdekjen e 11 vetëve dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve, përfshirë policë.
Rabini i sinagogës foli të hënën për shkaqet e nxitjes së këtyre akteve të urrejtjes.
“Kur flet me gjuhën e urrejtjes si udhëheqës, u jep leje të gjithë njerëzve të thonë ‘është e pranueshme të flasësh kështu, t’i trajtosh njerëzit kështu’ dhe përgjigjja ime është ‘jo, nuk është e pranueshme’”, tha rabini Jeffrey Meyers.
Kryetari i Bashkisë së Pitsburgut, Bill Peduto tha se i kishte kërkuar Shtëpisë së Bardhë që të mos e bënte vizitën presidenciale para ditës së martë, kur zhvillohen funeralet e viktimave, me kërkesë të familjeve të tyre dhe për shkak se punonjësit e rendit ende janë të angazhuar me gjendjen pas vrasjes masive.
Rabini i sinagogës e mirëpriti vizitën e zotit Trump, por disa udhëheqës të komunitetit hebraik në Pitsburg, në një letër të hapur i kërkuan presidentit që të mos vinte në qytetin e tyre pa dënuar më parë “nacionalizmin e bardhë”.
“Ajo që kanë shkruar ata është pikërisht ajo që ndjej unë. Mendoj se ai do të shkaktonte më shumë përçarje, zemërim dhe trishtim. Nuk na duhen mendimet dhe ngushëllimet e tij”, thotë Gail Goldman, banore e zonës dhe anëtare e komunitetit hebraik.
I dyshuari Robert Bowers që u godit tre herë nga policia, doli para trupit gjykues të hënën nën akuzat federale për vrasje dhe sulm./VOA
Fraksion.com