AktualitetTë fundit

Xhafaj në krah të Veliajt: Meriton një mandat të dytë

Në dëgjesë publike në Njësinë 10, ishte i pranishëm edhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili theksoi se puna dhe rezultatet janë treguesi më i mirë i punës së kryebashkiakut Veliaj. Ai tha se Veliaj kërkon një mandat të dytë jo për të qëndruar në atë karrige, por për të shërbyer dhe për ta çuar përpara misionin e tij për transformimin e Tiranës.

“Ka njerëz që ulen në një karrige dhe janë të kënaqur se kanë kapur një karrige; ka njerëz që marrin pushtet dhe janë të lumtur që janë të pushtetshëm; ka njerëz që vijnë për të shërbyer, që kanë një mision që duan të lenë një gjurmë përmes mundësisë që u jep pushteti dhe ky është Erion Veliaj! Katër vjet më parë na është dashur të flisnim se kush është Erion Veliaj, kurse sot nuk na duhet fare të flasim sepse ai dhe ekipi i tij duhet të tregojnë çfarë punësh kanë bërë dhe janë duke bërë. Puna dhe rezultatet janë treguesi më i mirë, CV-ja më e mirë për cilindo. Erion Veliaj hyri për një mision dhe me punë, me rezultate, me atë çfarë ka bërë, është duke kërkuar një mandat të dytë, jo për të vazhduar të qendrojë në atë karrige, por për të shërbyer dhe për ta çuar përpara këtë mision. Gjëja më e mirë e tij është puna”, deklaroi Xhafaj.

Ndërkaq, kryebashkiaku i Tiranës u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e ardhshme të mbështesin maksimalisht PS, si e vetmja mënyrë që ritmi i punëve në kryeqytet të mos ndalet. Për të ilustruar rëndësinë e votës, Veliaj solli rastin e suksesshëm të rikonstruksionit të gjimnazit “Qemal Stafa” në kryeqytet, ku falë mbështetjes së qytetarëve investimi po përkthehet edhe në cilësi në arsim. “Ky është realisht një nga ata shembuj që duhet ta përdorim për të thënë: Po, ky investim ka duk! Në qoftë se dikush mendon se vota nuk vlen, ja ku është rasti konkret që voton për të bërë një punë, e cila sjell këtë rezultat”, theksoi Veliaj.

Në dëgjesën me banorët e Njësinë 10, Veliaj listoi edhe një sërë investimesh të rëndësishme që kanë transformuar tërësisht zonën. “Kemi ndërhyrë në dy blloqe: rehabilituam hapësirën publike te Rruga e Durrësit, zona rreth bustit të “Adem Jasharit” dhe rikualifikuam zonës midis rrugëve “Sami Frashëri” dhe Bulevardit “Gjergj Fishta”, gjithë zonën mbrapa Shallvareve dhe tregut Çam. Kemi bërë asfaltimin e plotë të Rr. “Mujo Ulqinaku” dhe Rr. “Him Kolli”, vendosëm sinjalistikë horizontale e vertikale për gjithë lidhjet e Unazës së Vogël dhe Unazës së Mesme të Tiranës”, tha Veliaj, ndërsa bëri të ditur se është vendosur sinjalistika e plotë në 30 rrugë të kësaj njësie dhe është bërë asfaltimi dhe sistemimi në 45 rrugë të tjera.

Duke kërkuar bashkëpunimin e banorëve për mirëmbajtjen e investimeve, Veliaj shtoi se këto ndërhyrje kanë rritur vlerën e pronës së qytetarëve. “Kemi bërë një ndërhyrje në fasadat e Rrugës së Durrësit dhe pallatet Shallvare. Është një nga punët tona të para, por fakti se vlera e pronës është rritur disafish do të thotë se zbukurimi i qytetit e ka një peshë, ndaj do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, nënvizoi ai./Shqip

 

Fraksion.com