AktualitetRajoniTë fundit

Turqia nis aktivitetet e para të shpimit të thellë në Mesdhe

Anija e parë i shpimit e Turqisë, Fatih, filloi aktivitetet e para të shpimit të thellë me sondë në ujërat e Mesdheut në provincën Antalya në jug të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në ceremoninë e lançimit, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore i Turqisë, Fatih Dönmez, tha se Turqia do të kryejë aktivitete të sondimit të thellë me anijen e saj në pusin e thellë Alanya-1, si pjesë e përpjekjeve të saj për të shfrytëzuar burimet e saj të brendshme.

“Qëllimi ynë është të hapim dy puse mesatarisht në vit me anijen Fatih”, tha Dönmez, duke shtuar se shpimi i parë në Alanya-1 është planifikuar për një periudhë prej gati 150 ditësh.

Turqia tashmë është duke kryer eksplorime për naftë dhe gaz duke përdorur dy anije sizmike.

Anija e parë sizmike e Turqisë, Barbaros Hayreddin Pasha, e cili u ble nga Norvegjia në vitin 2013, ka kryer operacione eksploruese në Mesdhe që nga prilli i vitit 2017.

Përveç kësaj, anija e dytë e Turqisë, MTA Oruc Reis, të cilën inxhinieret turq e ndërtuan në një kantier detar lokal në Stamboll në muajin qershor, është duke kryer aktivitete në Detin e Zi.

Ndërkohë, anija Fatih, dikur Deepsea Metro II, arriti në qytetin e Antalyas në qershor në përgatitje për fillimin e projektit të parë të sondimit të Turqisë në rajon.

Dönmez njoftoi se punime të tjera të shpimit të cekët me anijen Fatih janë planifikuar në rajonin e Mersinit në Turqinë jugore muajin e ardhshëm, duke shtuar se Turqia është gati të blejë një anije të dytë sondimi për të shtuar kërkimet.

– Aktualisht, nuk ka rreziqe

Më 18 tetor, marina turke bllokoi një fregatë greke që u përpoq të pengonte anijen kërkimore Barbaros Hayreddin Pasha.

Incidenti shkaktoi reagim të menjëhershëm nga zyrtarët turq, të cilët paralajmëruan Greqinë kundër veprimeve në Detin Mesdhe që mund të nxisin tensione në rajon.

“Nuk ka rreziqe sigurie. Megjithatë, nëse ndodh provokim, forcat tona detare do të bëjnë atë që është e nevojshme”, tha Dönmez.

Duke theksuar se Turqia nuk ka ndërmend të marrë burimet e ndonjë vendi tjetër në Detin Mesdhe, Dönmez deklaroi se qëllimi i vetëm është të sigurohen burime nën sovranitetin e Turqisë si garantuese në ishullin e Qipros për qytetarët e saj turq dhe turqit qipriotë.

Turqia ka kundërshtuar vazhdimisht veprimtaritë e njëanshme të shpimit të qeverisë greke qipriote në Mesdheun Lindor, duke pohuar se qipriotët turq gjithashtu kanë të drejta në burimet në këtë zonë.

 

Fraksion.com