Tirana in between: Projekti që e bën Shqipërinë të njohur në Europë
„Tirana in between“, një projekt i rrjetit „traduki“ e Poetekës nuk sjell vetëm shkrimtarë europianë në Shqipëri, por e bën Shqipërinë më të njohur në Europë. Shkrimtarja gjermane Sandra Hoffmann ishte e ftuara e radhës.
Sot „skipëtarët” ende mbeten një kuriozitet për të huajt nga Europa, por tani ata vijnë me avion, shijojnë diellin e detin, mikpritjen shqiptare dhe shijen e ushqimeve të tyre. „Dallëndyshet e para të civilizimit” që i vuri re Joseph Roth nuk janë më të parat. Në Shqipëri vijnë sot shkrimtarë të huaj për të zbuluar e kuptuar një vend në skaj të vëmendjes së Europës. Mes tyre shkrimtarja e njohur gjermane, Sandra Hoffmann, që zgjodhi për disa javë pikërisht Shqipërinë për të shkruar e përjetuar vendin në kuadër të projektit „Tirana in between” të rrjetit „traduki” dhe Poetekës, i cili fton shkrimtarët nga Ballkani dhe Europa për qëndrime njëmujore në Shqipëri. Qendra Goethe dhe Ambasada Gjermane në Tiranë mbështesin qëndrimin në rezidencë dhe përkthimin e librave të autorëve të huaj, si në këtë rast përkthimin e romanit “Paula”, botim i Poetekës.
Me autobus nëpër Shqipëri
Ende një e huaj, kur lëviz nëpër rrugët e qyteteve të vogla shqiptare zgjon kureshtjen, por kur ajo pret me ҫanta si të tjerët linjat e autobusëve për të lëvizur nëpër Shqipëri, njerëzit kthejnë kokën të habitur. Çdo kjo e huaj që lëkundet bashkë me ne, kur autobusi ecën nëpër rrugë ende të pashtruara? Këtë pyetje e lexoi shpesh Sandra Hoffmann në fytyrat kureshtare të njerëzve që ndeshi nëpër rrugët që të ҫonin në Përmet, Gjirokastër, Sarandë, Shkodër e qyteza të tjera. Doja të shihja Shqipërinë nga afër, rrëfen ajo, prandaj e shfrytëzova kohën për shumë udhëtime. Dhe pa një vend të ndryshuar shumë, pas vizitës së parë në vitin 2015. „Gjej një vend në ndryshim e sipër, në përpjekje për t’iu afruar standarteve europiane.”
Sandra Hoffmann është një vëzhguese e vëmendshme. Fokusi i letërsisë së saj është bota e femrës, marrëdhëniet komplekse familjare si në romanin e suksesshëm të botuar në Gjermani e tani të përkthyer në shqip „Paula”. „Gratë tani më duket se kanë më shumë vetëbesim nëpër rrugë. Kam ndjesinë megjithatë, se mënyra si paraqiten burrat në rrugë, ajo pamja e fortë, sikur të thotë, se ne jemi ata që e kemi fjalën e fundit.”
Megjithë zhurmat, rezervimin e parë ndaj një të panjohure, por edhe mirësinë e kalimtarëve, megjithë kodin tipik shqiptar të qarkullimit rrugor, megjithë nervin e paqetë të Tiranës – Shqipëria ashtu siҫ është e ka bërë për vete shkrimtaren gjermane. Përshtypjet e refleksionet e saj, Sandra Hoffmann i ka derdhur në një blog të posaҫëm.
Qendra Goethe dhe Ambasada Gjermane në Tiranë ndihmuan në përkthimin e romanit “Paula”. Drejtoresha e Qendrës Goethe në Tiranë, Alketa Kuka duke folur për projektin.
Shqipëria hyn në Europë përmes penës së shkrimtarëve nga Europa
Shqipëria – motiv për shkrimtarët e përkthyesit nga Europa! Dikur përmendja në mediat europiane shenjohej si rast i rrallë nga shqiptarët, ndërkohë ajo është kthyer në normalitet. Vagoni i kulturës shqiptare i është bashkëngjitur trenit europian të kulturës, linja më e shpejtë për mbërritjen e Shqipërisë në Europë. Falë projektit të tradukit „Tirana in between” dhe “Reading Balkans” nga Këshilli i Europës për Kulturën kanë ardhur këto vitet e fundit 38 autorë e përkthyes që përfshihen në jetën kulturore shqiptare përmes workshopeve e leximeve kryesisht në Tiranë e Shkodër.
Gjurma më domethënëse e këtij projekti, sipas shkrimtarit Arian Leka është reflektimi i Shqipërisë në reportazhet e poezitë e shkrimtarëve nga vende të ndryshme. „Mund të përmendja poetin e shquar maqedonas, Nikola Madzirov që shkroi poezi në prozë e disa reportazhe për Shqipërinë, poetja e ‚slam poetry‘, Elena Prendjova që ka shkruar një libër të plotë me titullin „Tirana”, 26 poezi për Tiranën, libri është gati për botim, të mos harrojmë reportazhin e gjatë të shkrimtares boshnjake Emina Zhuna për Shqipërinë, një novelë të Luan Starovës, Polifonistët. Ne zotërojmë rreth 400 faqe të autorëve me shënime udhëtimesh, ditare, reportazhe e poezi. Mjaft interesant është edhe fotoditari i poetit Miroslav Çurҫiҫ nga Serbia që ka shëtitur mjaft nëpër Shqipëri e ka dashur të shkruajë vetëm për njerëzit e periferive.”
“Habia e bukur”
„Tirana in between” nuk sjell vetëm shkrimtarë nga Europa në Shqipëri, por ia ofron Shqipërinë Europës përmes kulturës, përmes njohjes së drejtpërdrejtë. Por sa njohuri për Shqipërinë kanë shkrimtarët e ardhur dhe sa rol luajnë paragjykimet e ҫimentuara e jo të pakta për shqiptarët në këtë pikëpjekje? Arian Leka e quan reagimin e vizitorëve „habia e bukur” që vjen nga paragjykimi, nga ngarkesa shumë e madhe, nga tabutë që ata sjellin nga vendet e tyre për Shqipërinë. Ata dinë fare pak për vendin, prandaj kur vijnë në Shqipëri i pret një realitet tjetër që zmadhohet e bëhet më i bukur për shkak të paragjykimit të tyre, jo se vendi ynë është ideal.”
Thuhet se të shuash një paragjykim është më vështirë, se të ndash një atom, por kur ai është në mënyrë të padrejtë kaq i madh, me sa duket shpërbën vetveten. Një pikë më shumë për Shqipërinë! Paragjykimi që nuk konfirmohet provokon një këndëvshtrim të ri. Prandaj shkrimtarët duan të shkruajnë për këtë „habi të bukur”. Janë rikthyer në një kontekst të ri udhëpërshkruesit e vjetër, thotë Arian Leka.
Një ditë ata largohen, si të gjithë udhëtarët. Edhe shkrimtarja gjermane, Sandra Hoffmann. Por ajo do të marrë me vete një ndjenjë të mirë të njerëzve “që në rast nevoje nuk do ta linin vetëm”, siç shprehet ajo. „Këtë trazim të paqetë këtu, e di që nuk do ta gjej në rrugët e Mynihut”. Për rrugët e Tiranës Sandra Hoffmann do të rrëfejë në Gjermani. Gjithkush kur udhëton ka një histori për të rrëfyer./DW
Fraksion.com