Sayoc, njeriu i pakove-bombë urdhërohet të qëndrojë në arrest
Cesar Sayoc, njeriu i akuzuar për dërgimin e 14 pakove me pajisje eksplozive në adresë të kritikëve të Presidentit Donald Trump, u urdhërua të qëndrojë në gjendje arresti pa të drejtë lirimi me kusht, pas paraqitjes për herë të parë para një gjykatësi të hënën.
Seanca u mbajt në Majemi të Floridës, jo shumë larg vendit ku agjentët federalë e arrestuan të premten pranë furgonit në të cilin autoritetet thonë se ai banonte.
Sayoc qëndroi në heshtje para gjyqtarit Edwin Torres, i cili lexoi akuzat kundër tij. Ai pritet të paraqitet sërish në gjyq në Majemi të premten në mëngjes.
Kur u arrestua të premten e kaluar, disa dritare të automjetit të tij ishin mbuluar me fotografi që tregonin mbështetje për zotin Trump ose me shënjestra mbi fytyrat e kundërshtarëve politikë të Presidentit. Sayoc është akuzuar për dërgimin e pajisjeve shpërthyese.
Ndërkohë, një tjetër paketë e dyshimtë drejtuar rrjetit televiziv CNN, ku Sayoc mendohetse dërgoi dy pajisje të ngjashme javën e kaluar, u kap të hënën në një zyrë postare të qytetit Atlanta.
Por presidenti i CNN-it Jeff Zucker tha se ndërtesa kryesore e rrjetit televiziv nuk u vu në rrezik.
Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions tha se Sayoc mund të përballet me 48 vjet burg nëse shpallet fajtor.
Fraksion.com