AktualitetPolitikëTë fundit

Vrasja në Bularat, Dule: Të zbardhet ngjarja; Në hetime të jetë edhe Greqia

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka qenë sot në Bularat për të ngushëlluar familjen e Konstandinos Kaçifas, i cili mbeti i vrarë dje nga forcat RENEA, pas thirrjes për t’u dorëzuar, teksa më herët kishte terrorizuar banorët e fshatit.

Dule ka shprehur indinjatën e tij për ngjarjen dhe ka theksuar se policia duhet të mbajë përgjegjësi për vrasjen e 35-vjeçarit, i cili njihej nga banorët e fshatit si ekstremist grek.

“Dëshiroj që të theksojmë thirrjen tonë për gjakftohtësi, por të demonstrojmë vendosmëri se kjo çështje duhet zbardhur në të gjitha detajet e saj me të gjithë transparencën e mundshme. Ka shumë pikëpyetje që e bëjnë me delikate. Si nisi konflikti dhe nga u provokua? Mbetet ende pa përgjigje. Kush ishin rrethanat dhe nga  kush u mor vendimi për të dhënë një zgjidhje fatale, ndërkohë që ekzistonin edhe alternativa të tjera që do të garantonin jetën, – nënvizoi Dule nga Bularati. –  Prioritet i parë dhe i fundit në çdo operacion policie, me përjashtim të vendit të Kim Jong Un-it është shpëtimi i jetëve të forcave të rendit dhe së dyti të atij ndaj të cilit operojnë. Gjë që mesa duket është shkelur në rastin konkret”.

Mes të tjerash, Dule kërkoi një ekspert evropian pë të zbardhur të vërtetën dhe për ta bërë sa më të besueshme ngjarjen. “Policia e ka vënë vetë në pikëpyetje operacionin e saj të djeshëm. Duhet që të jemi të ndërgjegjshëm për pikëpyetjet që si në këtë rast, por edhe në rastet të tjera, çdo qytetar ka për policinë e vendit tonë. Në këto kushte është e domosdoshme, që duke qenë se kemi edhe rastin e nënshtetësisë për të ndjerin, që ekspertiza mjeko-ligjore të jetë e përbashkët edhe me një ekspert nga shteti grek, ku në të njëjtën kohë ishte shtetas. Por në të njëjtën kohë kërkohet që këtij procesi t’i jepet besueshmëria të ketë garancinë dhe mendimin dhe vlerësimin e ekspertëve evropianë”./shqip

 

Fraksion.com