Kundërzbulimi holandez në gjurmë të hakerëve rusë
Çfarë i bën shërbimet sekrete holandeze MIVD dhe AIVD kaq të suksesshme në luftën kundër hakerëve rusë? Ato nuk janë të njohura sikur CIA amerikane apo MI6, por janë të suksesshme…
Sfondi i këtij sulmi nuk është zbuluar kurrë, por ai ka ndodhur vetëm disa javë pas helmimit të ish-agjentit rus Sergej Skripal në Britani të Madhe. Organizata OPCW ka qenë e përfshirë në hetimet rreth një helmi që është përdorur në këtë sulm. Moska ka hedhur poshtë pohimet për spiunim.
Zbulim spektakolar
Si ka mundur të ndodhë një zbulim i këtillë? Dhe pse pikërisht shërbimi holandez është kaq i suksesshëm në luftën kundër hakerëve rusë, ndonëse SHBA dhe vendet e tjera kanë kapacitete shumë më të mëdha? Holandezët kanë pasur këtë vit dy zbulime spektakolare në luftën kundër hakerëve rusë.
Në janar është bërë publik ekzekutimi i suksesshëm i një aksioni të AIVD, kundër grupit famëkeq me emrin APT29 apo Cozy Bear, i cili në Perëndim ndërlidhet me shërbimin sekret rus SWR. Agjentët holandezë e kanë përcjellur me vëmendje punën e këtij grupi, i cili ka vepruar kundër demokratëve amerikanë në fushatën parazgjedhore presidenciale. Moska i ka hedhur poshtë edhe këto akuza.
Gazeta holandeze De Volkskrant shkruan për rastin: “Në verën e vitit 2014 një haker i AIVD është futur në rrjetin kompjuterik të Universitetit të Moskës, prej nga ka vepruar grupi i hakerëve APT29. Hakerët holandezë kanë pasur mbase edhe lejen për ndjekjen e hakerëve armiqësorë. Me ndihmën e kamerave për mbikqyrje ata kanë inçizuar agjentët respektivisht hakerët rusë të grupit APT29, që ka mundësuar edhe identifikimin e tyre. Agjentët sekret holandezë i kanë përcjellur me vite të tëra hakerët rusë dhe për këtë i kanë informuar kolegët amerikanë, të cilët kanë qenë shumë falënderues”, shkruan gazeta De Volkskrant.
Sulmi rekord
Mbrojtja nga spiunimi nuk ëshë asgjë e re për shërbimet sekrete holandeze, duke marrë parasysh faktin se në këtë vend gjenden selitë e shumë organizatave të ndryshme ndërkombëtare. E reja është se rasti për përpjekjet e sulmit ndaj Organizatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike OPCW është publikuar. Bërja publike e gjërave dhe turpërimi i hakerëve para opinionit është strategjia e re për frikësimin e vendeve, të cilat bashkëpunojnë me Rusinë, mendojnë ekspertët.
Ministrja holandeze e Mbrojtjes, Ank Bijleveld ka pranuar në një deklaratë në TV se vendi i saj gjendet në një luftë kibernetike me Rusinë. Se çfarë do të thotë kjo, mund të mësohet nga raporti vjetori i MIVD. “Janë zbuluar objektivat e sulmit digjital për spiunim dhe këto sulme janë shtuar. Personat e sulmuar janë paralajmëruar për rreziqet dhe janë ndihmuar për të pastruar rrjetet e tyre”, thuhet në raport. “Si rrezik në rritje quhen vendet me interesa të mëdha gjeopolitike”. Këtu mendohet Rusia ndonëse nuk përmendet emri i saj.
Rasti i Estonisë, Gjeorgjisë…
Holanda duket se e ka kuptuar me kohë se prej nga vjen rreziku. Me kohë janë zbuluar edhe sulmet e planifikuara në Estoni në vitin 2007 dhe Gjeorgji 2008″, shkruante gjenerali Paul Ducheine, për revistën “Militaire Spectator”. Ducheine është profesori i parë i operacioneve kibernetike në Akademinë Ushtarake holandeze në Breda. “Lufta kibernetike është realitet”, pohon Ducheine.
Qeveria holandeze ka konceptuar një strategji për mbrojtje në vitin 2011. Së bashku me britanikët, të cilët një strategji të këtillë e kanë hartuar në vitin 2009, holandezët i përkasin grupit të pionierëve në fushën e mbrojtjes nga sulmet kibernetike. Holanda ka krijuar edhe strukturat e saja, ndër të cilat është edhe njësia speciale Joint Sigint Cyber Unit (JSCU). Detyra e saj është të kap komunikimet satelitore dhe të tjera, për të evituar sulmet.
Në qershor të vitit 2014, njësia speciale JSCU ka filluar punën. Mediat njoftojnë se në selinë e tyre kryesore në Zoetermeeru pranë Hagës, punojnë 350 bashkëpunëtorë. Shumë shpejt ky ekip ka arritur rezultate të mira në luftën kundër hakerëve rusë të grupit APT29, shkruan gazeta, De Volkskrant. Operacioni kundër tyre është kryer sipas të gjitha gjasave para rrëzimit të avionit të Malajzisë MH-17 në Ukrainë me 17 korrik. Informacione zyrtare për këtë ngjarje nuk ka. Por mund të ketë spekulime për efektet e rrëzimit të këtij avioni, në të cilin dy të tretat e 298 viktimave kanë qenë më pasaportë holandeze.
Universitetet si vend për stërvitjen e hakerëve
Një shkak tjetër për efikasitetin e hakerëve holandezë është përgatitja e tyre. Në strategjinë e tyre thuhet se kërkohen ekspertë, të cilët duan të vazhdojnë përgatitet. Universitetet holandeze janë shndërruar për një kohë të shkurtër në një vend për përgatitjen e ekspertëve në këtë fushë. Prej vitit 2014 në Hagë eksziton edhe Akademia e Sigurisë Kibernetike (CSA), që është një lloj kombinimi i tri shkollave të larta, ndër të cilat gjendet edhe Universiteti i njohur Leiden. Shkollimi në CSA nuk është i lirë: Përgatitja 18-mujore në programin “Executive Master‘s Programme Cyber Security” kushton 24.000 Euro. Akademia është futur në rrjetin “Hague Security Delta” – një rrjet i sipërmarrjeve, fakulteteve dhe institucioneve të interesuara për sigurinë në rrjetet kompjuterike.
Pas sulmeve të fundit ndaj OPCW, Ministria e Mbrojtjes në Holandë ka bërë të ditur se do të shtohen mjetet financiare për siguri në rrjetet kompjuterike./DW
Fraksion.com