AktualitetBota+Të fundit

Samiti në Stamboll: Liderët synojnë armëpushim të përhershëm në Siri

 Liderët e Turqisë, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë publikuan deklaratë të përbashkët pas samitit katërpalësh për Sirinë të mbajtur në Stamboll, përmes së cilës nënvizuan nevojën e vazhdimit të luftës kundër terrorizmit dhe arritjen e një armëpushimi të përhershëm në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e përbashkët të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, presidentit rus Vladimir Putin, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel pas samitit, kanë shprehur shqetësime të përbashkëta ndaj rreziqeve që paraqet kriza në Siri për stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe globale.

Liderët kanë konfirmuar përkushtimin për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Sirisë, si dhe parimet dhe synimet e Kartës së OKB-së, thuhet në deklaratën e përbashkët përfundimtare.

Liderët po ashtu kanë theksuar se kriza në Siri nuk mund të zgjidhet përmes mënyrave ushtarake, por vetëm përmes një procesi politik në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në këtë drejtim, thuhet në deklaratë, është nënvizuar rëndësia e rritjes së koordinimit të të gjitha përpjekjeve ndërkombëtare që synojnë të kontribuojnë në arritjen e një zgjidhjeje të vazhdueshme në Siri.

“U riafirmua vendosmëria për luftë kundër terrorizmit me qëllim eliminimin e të gjitha organizatave të cilësuara si terroriste nga KS-OKB, siç janë DEASH, Fronti Nusra dhe Al-Kaida, ose të gjithë individët e tjerë, grupet, iniciativat dhe subjektet e lidhura me DEASH-in. Po ashtu u shpreh vendosmëri për të refuzuar të gjitha agjendat separatiste që synojnë të dëmtojnë sigurinë kombëtare të vendeve fqinje, sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë”, thuhet në deklaratë.

Lidërët gjithashtu kanë vlerësuar pozitivisht marrëveshjen e arritur në Soçi më 17 shtator të këtij viti mes Turqisë dhe Rusisë për stabilizimin e gjendjes në zonën e deeskalimit në Idlib.

Deklarata e përbashkët e katër shteteve riafirmoi kundërshtimin ndaj përdorimit të armëve kimike nga cilado palë në Siri.

Katër shtetet kanë shprehur mbështetje për një proces politik inkluziv i cili do të udhëhiqet nga sirianët, me lehtësim të OKB-së, ndërsa i kanë bërë thirrje palëve siriane të jenë pjesëmarrës aktiv në këtë proces.

Lidërët kanë apeluar që deri në fund të vitit të takohen për formimin e komitetit kushtetues në Gjenevë, në mënyrë që të krijohen kushte për zgjedhje gjithëpërfshirëse në Siri.

Në deklaratë është theksuar edhe nevoja për dërgimin e ndihmave humanitare emergjente për të gjithë nevojtarët në Siri, për të cilat i është bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, përfshirë OKB-së dhe organizatave humanitare të saj.

Sipas deklaratës së përbashkët nga samiti i Stambollit, liderët kanë theksuar nevojën e formimit të kushteve të nevojshme në gjithë shtetin që refugjatët dhe personat që janë zhvendosur nga vendet e tyre të kthehen në mënyrë të sigurtë dhe vullnetare në ato vende ku kanë banuar në Siri. Ata nënvizuan nevojën e mbrojtjes së të kthyerve nga konflikti i armatosur, nga presioni politik dhe arrestimet arbitrare, përfshirë edhe të infrastrukturës njerëzore të tilla shërbimet si uji, energjia elektrike dhe shërbimet sociale.

Macron, Merkel dhe Putin kanë falënderuar presidentin e Turqisë, Erdoğan, për realizimin e samitit katërpalësh në Stamboll.

 

Fraksion.com