AktualitetBota+Të fundit

Mattis: Vrasja e Khashoggit duhet të na shqetësojë të gjithëve

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis tha sot se “vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi në një ndërtesë diplomatike duhet të na shqetësojë të gjithëve”, duke shtuar se Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka pezulluar tashmë viza për disa shtetas sauditë të përfshirë në vrasjen e gazetarit.

Duke folur në konferencën e përvitshme të sigurisë në Bahrein, Sekretari Mattis tha se Shtetet e Bashkuara do të marrin masa shtesë kundër atyre që janë përgjegjës për vrasjen e gazetarit Khashoggi.

“Dështimi i cilitdo vendi në respektimin e normave ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit, minon stabilitetin rajonal në një kohë kur ai nevojitet më së shumti. Siç ka thënë Presidenti Trump, ne do të zbardhim rrethanat e këtij rasti”.

Sekretari Mattis tha se pjesë e partneritetit SHBA-Arabia Saudite “duhet të jetë transparenca dhe besimi”.

“Këto dy parime janë jetike për të siguruar bashkëpunimin e vazhdueshëm, sepse e dimë se që të mbetemi të angazhuar, dhe ne jemi të angazhuar, duhet të kemi transparencë dhe siguri të vazhdueshme për të gjithë në këtë rajon dhe kjo është e nevojshme nëse duam të kemi një Lindje të Mesme të sigurt dhe të begatë”.

Sekretari Mattis nuk e fajësoi drejtpërdrejt Arabinë Saudite për vrasjen e gazetarit Khashoggi dhe nuk iu referua thirrjeve të anëtarëve të Kongresit për të pezulluar shitjen e armëve për Arabinë Saudite ose për sanksione kundër mbretërisë saudite.

Ndërkohë, mediat amerikane njoftojnë se Salah bin Jamal Khashoggi, djali i gazetarit të vrarë në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara. Ai është shtetas amerikan dhe saudit dhe qeveria e saudite ia kishte ndaluar udhëtimin jashtë vendit deri në fillim të kësaj jave.

Departamenti i Shtetit tha se Sekretari Pompeo ishte “i kënaqur” me vendimin saudit për të hequr kufizimin për udhëtime jashtë vendit ndaj djalit të gazetarit të vrarë.

 

Fraksion.com