Maqedoni: Tё hёnёn kuvendi shqyrton ndryshimet kushtetuese
Qeveria dorёzoi ё kuvend projektligjet pёr ndryshimet kushtetuese. Nga dita e hёnё nis nё kuvend procedura e shqyrtimit tё kёtyre amandamenteve, qё mund tё zgjasё deri nё dy muaj.
Ndryshimet kushtetuese që pritet të miratohen për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për ndërrimin e emrit të shtetit, kanë aktualizuar kërkesat e opozitës shqiptare për ndërhyrje edhe në disa nene të tjera të Kushtetutës me qëllim, siç thonë ata, të avancimit të pozitës shqiptare në shtet. Aleanca për Shqiptarët (ASH)kërkon që amendamentet të mbështeten edhe nga partitë tjera me qëllim që të arrihet një kushtetutë, e cila do të promovojë të drejtat dhe jo t’i sanksionojë ato. “Plani dhe strategjia jonë është që amendamentet të kalojnë dhe ndryshimet kushtetuese ta gjejnë shtetin më të drejtë. Kushtetua të promovojë të drejta dhe liri e jo të sanksionojë. Kjo është ideja e ASH-së sepse vetëm kështu ka kuptim anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE”, deklaron Ziadin Sela kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Lëvizja Besa e drejtuar nga Bilall Kasami ka hartuar katër amendamente, me të cilat kërkon që shqiptarët të jenë shtetformues, që gjuha shqipe të pёrcaktohet si gjuhë zyrtare dhe të hiqet emërtimi si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës në vend. Gjithashtu kërkohet ndryshimi i nenit 49 të Kushtetutës që të mos ketë diskriminim në mbrojtjen e entiteteve tjera që jetojnë jashtë vendit si dhe neni 75 me qëllim që të gjendet mënyra që kryetari i shtetit të mos mund t’i bllokojё ligjet që miratohen në Kuvend.
“Propozimet, që ne i japim për përdorimin e gjuhës shqipe është njё ҁёshtje që të gjitha subjektet politike shqiptare e thonë vazhdimisht, çështjen e preambulës e propozojmë si version që ofron një koncept, i cili është më afër realitetit shoqëror që e kemi në Maqedoni”, thotë Fadil Zendeli deputet i Lëvizjes Besa.
Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë, kërkesat e opozitës shqiptare i ka vlersuar si të motivuara për fitimin e pikëve politike. Deputeti i BDI-së Xhevat Ademi deklaroi, se asnjë amendament nga 4 amendamentet e qeverisë nuk do të pranohet dhe se amendamente shtesë mund të propozohen vetëm për 4 amendamentet që kanë të bëjnë me ndryshimin e kushtetutës në përputhje me Marrëveshjen e Prespës.
“Amendamente mund të dorëzohen ekskluzivisht vetëm për 4 draft-amendamentet e propozuara të qeverisë. Amendament tjetër, shërbimet e Kuvendit nuk e pranojnë, sepse iniciativa është e shpjeguar strikt”, thotë Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.
Tetë deputetët e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së të përjashtuar nga partia, sepse votuan për fillimin e ndryshimeve kushtetuese, ende po dakordojnë mënyrën e mëtejshme të veprimtarisë së tyre në kuvend. Deri të hënën do të duhet që të zyrtarizohet formimi edhe i një grupi parlamentar në kuvend, për të cilin ata kanë të drejtë.
Fraksion.com