AktualitetPolitikëTë fundit

Kush është Ministri i ri i Brendshëm? Rama: Kadare e propozi për President

Me një lëvizje surprizë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar nëpërmjet Twiterit dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe emërimin e zëvendësuesit të tij, gjeneral Sandër Lleshi.

Tepër befasuese është “braktisja” e misionit nga Xhafaj, por më shumë është emri i zgjedhur nga Rama për të drejtuar dikasterin më të rëndëishëm të qeverisë, që është goditur në dy mandate nga skandalet e narkottrafikut dhe lidhjet e ministrave me bandat e drogës.

Lleshi ka një karrierë të gjatë si ushtarak dhe prej 2013-ës ka qenë i përzgjedhuri i kryeministrit si këshilltar për ccështjet e Mbrojtjes.

Asokohe kur e prezantonte, Rama tha se emrin e Lleshit e kishte dëgjuar nga shkrimtari i madh Ismail Kadare.

“Emrin e Sandër Lleshit e kam dëgjuar për herë të parë nga Ismail Kadare, i cili ia sugjeroi palëve si një kandidaturë të spikatur për President të Republikës një vit më parë. Më vonë munda ta çmoj përmes mediave kur denoncoi publikisht rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe degradimin e rëndë të drejtimit të ushtrisë sonë. Dhe njohja nga afër erdhi kur pas zgjedhjeve e thirra për ta dëgjuar lidhur me gjithë çka kishte denoncuar publikisht, si edhe me idetë e tij për të ardhmen e dikasterit qendror të mbrojtjes si edhe të vetë Forcave të Armatosura natyrisht. Pas disa komunikimesh kuptova besoj, arsyet pse shkrimtari i shquar e kishte menduar si president të denjë për vendin këtë gjeneral të panjohur. I edukuar në perëndim, njohës i mirë i historisë dhe bartës i modestisë intelektuale që karakterizon të diturit, zotërues i thellë i fushës jo vetëm nga librat po edhe nga rrugëtimi i një karriere të gjatë”, thoshte Rama për ministrin e ri të Brendshëm.

Por kush është Sandër Lleshi, i cili do të “sjellë energji të reja” në Ministrinë e Brendshme?

Në periudhën 1996- 2000, gjeneral Lleshi ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”.

Në vitet 2003-2006 ka shërbyer si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Sa i takon arsimit të tij në fushën ushtarake, ai fillon në periudhën 1978-1985 kur ka kryer shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake.

Nga viti 1994 deri në 1999 ka kryer një sërë kursesh, si ai i gjuhës gjermane në Akademinë e Mbrojtjes Kombëtare në Vjenë (Austri); kurs i avancuar i gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve (Bundessprachenamt) në Gjermani; kurs i komandantit të Batalionit në Shkollën e Artilerisë Kundërajrore në Rendsburg, Gjermani; kurs i Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani dhe kurs i Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani.

Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani; Ndërsa në 2011-ën përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA.

 

Fraksion.com