Erdoğan: Shumë shtete e kuptuan gjendjen në Siri pasi efektet arritën pranë kufijve të tyre
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, pas samitit katërpalësh për Sirinë në Stamboll, ka deklaruar se synojnë garantimin dhe mbizotërimin e plotë të armëpushimit në terren dhe ndaljen sa më parë të gjakderdhjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas samitit, në të cilin morën pjesë edhe liderët e Gjermanisë, Francës dhe Rusisë, Erdoğan në konferencën e përbashkët për media, theksoi se sot realizuam diskutime frytdhënëse dhe të sinqerta.
“Procesi i paqes në Astana për konfliktin sirian paraqet një shembull për komunitetin ndërkombëtar”, tha ai.
Ai bëri të ditur se kanë rënë dakord për nevojën e vazhdimit të ndihmave humanitare për popullin e Sirisë.
Erdoğan theksoi se shumë shtete e kanë kuptuar seriozitetin e gjendjes në Siri pasi efektet kanë arritur pranë kufijve të tyre.
“Fatkeqësisht, barrën e problemeve që kanë lindur nga kriza në Siri prej një kohe shumë të gjatë janë detyruar ta bartin civilët sirianë dhe shtetet fqinje. Shumë shtete e kanë kuptuar seriozitetin e gjendjes në Siri pasi efektet arritën pranë kufijve të tyre. Duhet t’i jepet fund kësaj indiference. Përderisa nuk ndërmerret iniciativë politike dhe diplomatike, tragjedia në Siri do të përkeqësohet tutje”, deklaroi Erdoğan.
Presidenti turk më tej tha ashtu sikurse në perëndim të Eufratit, do të vazhdojnë të eliminojmë në thelb kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të Turqisë edhe në lindje të tij.
“Turqia nuk do të tolerojë rritjen e grupeve terroriste as pranë kufirit të saj, e as në ndonjë rajon tjetër të Sirisë”, tha Erdoğan, duke theksuar se operacionet antiterroriste të Turqisë në veri të Sirisë kanë mundësuar kthimin e mbi 260 mijë sirianëve në shtëpitë e tyre.
Ai tha se në samit kanë rënë dakord për rritjen e bashkëpunimit si midis katër shteteve, përfshirë edhe në nivel të komunitetit ndërkombëtar.
“Besoj se si pjesëmarrës të samitit, do t’i rrisim përpjekjet për arritjen e përmirësimit të gjendjes në terren dhe për avancimin e procesit politik”, deklaroi presidenti turk.
“Turqia është e vendosur të vazhdojë përpjekjen për gjetjen e një zgjidhjeje për problemin si në platformën e Astanas, ashtu edhe në platforma të tjera dhe me të gjera, siç është ajo e sotit”, tha Erdoğan.
“Kjo vendosmëri është nevojë e solidaritetit me popullin sirian dhe borxh që e kemi ndaj vëllezërve tanë sirianë”, shtoi presidenti Erdoğan.
I pyetur në lidhje me atë që do të ndodh me kreun e regjimit sirian Bashar al-Asad, ai tha se fati i tij nuk do të përcaktohet nga individë, por nga populli sirian.
“Është vullneti i popullit sirian ai që do të përcaktojë gjendjen e Asadit. I gjithë populli sirian, brenda dhe jashtë, do të japë vendimin në lidhje me të. Natyrisht, sipas nesh, Asadi është njeri që fatkeqësisht ka shënjestruar jetën e një milion shtetasve të tij”, theksoi Erdoğan.
Në sesionin e pyetjeve, Erdoğan adresoi edhe çështjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, i cili më 2 tetor u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll. Ai njoftoi se kjo çështje ka qenë diskutimi gjatë takimeve të tij dypalëshe para samitit.
“Ua komunikova informacionet e nevojshme. Edhe më parë kishim dhënë informacione të ndryshme për këtë çështje përmes inteligjencave tona. Në takimet e sotme dypalëshe hymë në detaje. Ka 18 të arrestuar. Këta, siç e dini, janë persona që u dërguan në shtetin tonë. Kush i dërgoi këta 18 persona në Turqi? Përgjigjen e kësaj duhet ta japin zyrtarët sauditë”, tha presidenti turk, duke shtuar se punimet e policisë, inteligjencës dhe gjyqësorit janë duke vazhduar ende.
Putin: Zgjidhja në Siri e mundur vetëm përmes rrugës diplomatike
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin deklaroi se zgjidhja për krizën në Siri mund bëhet realitet vetëm përmes rrugëve diplomatike.
Në konferencën e përbashkët pas samitit katërpalësh, Putin deklaroi se me homologët e tij turk, francez dhe gjerman po punojnë për afrimin e qëndrimeve parimore për çështjen e Sirisë.
Duke vënë në dukje se që të katër shtetet do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për normalizimin e gjendjes në Siri edhe në të ardhmen, Putin tha se “Janë formuar kushtet e favorshme për këtë. Nëpërmjet aktiviteteve të realizuara në kuadër të formatit të Astanës nga Turqia, Rusia dhe Irani, një pjesë e madhe e këtij shteti është pastruar nga terroristët. Shteti po i afrohet paqes hap pas hapi”.
“Zgjidhja në Siri është e mundur vetëm përmes rrugës diplomatike”, tha Putin, duke theksuar se zgjidhja politike është e mundur në kuadër të rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe respektimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të Sirisë.
Ai më tej vuri në dukje se populli i Sirisë duhet të përcaktojë vetë fatin e vet.
“Për avancimin e shpejtë në terren të zgjidhjes politike në Siri, do të përpiqemi që në këtë proces të përfshijmë përfaqësuesit sirianë të cilët tregojnë qëndrim konstruktiv. Së pari duhet të fillojmë punimet për komitetin kushtetues në Gjenevë”, tha ai.
Duke theksuar se niveli i dhunës në Siri është zvogëluar në masë të madhe, Putin tha se duhet të pastrohen edhe strukturat radikale që janë tubuar aty.
“Ky është një qëllim tejet aktual për ne. Këta vrasës të cilët kanë përfituar përvojën e luftës, në shtetet tona heshtazi mund të rekrutojnë simpatizantë. Mund të fusin ideologjitë e tyre në popull. Kjo është një gjë e papranueshme”, tha presidenti rus.
Putin po ashtu theksoi së bashku me presidentin Erdoğan ka njoftuar homologët e tij gjerman dhe francez në lidhje me marrëveshjen e Soçit. Më tej, ai tha se Rusia do të ndihmojë në mënyrë të vendosur për eliminimin e kërcënimit të terrorizmit në Siri.
Duke folur për kthimin e refugjatëve, lideri rus tha se “Komuniteti ndërkombëtar duhet të tregojë përpjekje të përbashkëta për Sirinë”.
“Rusia mbështetet te Turqia për tërheqjen e forcave të opozitës nga zona tampon në Idlib të Sirisë”, shtoi Putin.
Ai paralajmëroi se komiteti kushtetues sirian do të jetë funksional nga fundi i vitit.
Macron: Populli i Sirisë duhet të ketë të drejtë fjale për të ardhmen e tij
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, porositi se përdorimi i armëve kimike si në rajonin e Sirisë ashtu edhe në vendet tjera të botës, nga kushdo qofshin ato, nuk mund të pranohen.
Në Stamboll u mbajt Samiti për Sirinë me mikpritjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa pjesëmarrës ishin presidenti francez, ai rus Vladimir Putin, si dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Në konferencën e përbashkët për media, Macron këtë samit e vlerësoi mjaftë të nevojshmëm për Sirinë, duke e falënderuar më tej presidentin turk, Erdoğan, për organizimin e këtij samiti.
“Populli i Sirisë duhet të ketë të drejtë fjale për të ardhmen e tij. Neve nuk na takon që të marrim një vendim për Sirinë, por mund të ndihmojmë në vendosjen e kushteve që populli të përcaktojë të ardhmen”, deklaroi Macron.
Presidenti francez theksoi se është shumë me rëndësi ristrukturimi i një Sirie gjithëpërfshirëse.
Duke themeluar një kornizë kushtetuese, tha Macron, “duhet t’i formojmë kushtet në drejtim të asaj që sirianët të votojnë dhe të përcaktojnë të ardhmen e tyre”.
Duke iu referuar situatës aktuale në qytetin sirian, Idlib, Macron tha se “armëpushimi i përhershëm dhe i qëndrueshëm në Idlib ka një rëndësi të jashtëzakonshme”.
Merkel: Jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka të mundur për një armëpushim të qëndrueshëm
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi se janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që është e mundur për një armëpushim të qëndrueshëm në Idlib.
Merkel gjatë fjalës së saj vuri në dukje se në Siri duhet të gjendet një zgjidhje nga aspekti politik, ku theksoi në se më 17 shtator është bërë një punë shumë frytdhënëse në mes të Turqisë dhe Rusisë për një armëpushim në Idlib.
“Jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është e mundur për një armëpushim të qëndrueshëm (në Idlib)”, u shpreh Merkel.
Duke vënë në dukje nevojën e një zgjidhjeje politike në Siri, Merkel tha se në Siri duhet të organizohen zgjedhje ku mund të votojnë së bashku sirianët, brenda dhe jashtë shtetit.
Ndërsa në lidhje me çështjen e kthimit të refugjatëve sirianë në shtetet e tyre, Merkel tha se “për kthimin e njerëzve nevojitet një zgjidhje politike në Siri”.
“Pavarësisht qasjeve tona të ndryshme, ne ishim në gjendje të biem dakord për një komunikim të përbashkët mbi Sirinë”, shtoi ajo, duke shtuar se, “Nuk duam që miliona persona në Siri të hidhen përsëri në rrezik”.
Ndërkaq në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, Merkel tha se, “Zotohem se pas zbulimit të autorëve të vrasjes së Khashoggit, do të ndërmerren hapat e duhura në Bashkimin Evropian (BE)”.