Ushqime jashtë standartit: AKU bllokon 13.3 ton produkte të importuara
Në vijim të kontrolleve me qëllim sigurinë ushqimore të produkteve që importohen nga shtetet e tjerë drejt vendit tonë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer 4011 inspektime për periudhën 1-25 tetor në të gjitha pikat doganore të Shqipërisë.
Gjatë kësaj periudhe janë konstatuar dhe bllokuar 13.3 ton produkte ushqimore të pasigurta për tregun shqiptar. Trupa inspektuese e AKU-së ka kryer procedurat për kthim në origjinë të këtyre produkteve.
Konkretisht, në pikën doganore, Durrës janë bllokuar 4.5 ton oriz me vend origjinë, Spanjë. Ngarkesa në fjalë nuk shoqërohej me certifikatë fitosanitare gjë që bie në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Ndërkohë, në pikën doganore, Qafë Thanë është bllokuar një sasi prej 1.8 ton domate me vend origjinë Lituani pasi u konstatua prezencë myku dhe të kalbura- pra të papërshtatshme për konsum.
Ndërsa në pikën doganore, Hani i Hotit janë bllokuar: 2.2 ton birrë, origjina nga Çekia dhe 4.8 ton produkte ushqimore si, kripë, salcë djathi, patatina, kokoshka dhe çokollatë me vend origjinë, Hungarinë. Këto dy ngarkesa ishin afër afatit të skadencës- pra nuk lejohen të futen për konsumin vendas./BalkanWeb
Fraksion.com