Ja përse e ardhmja e Megyn Kellyt në NBC është e pasigurt
Drejtuesja e emisionit të mëngjesit në televizionin NBC, Megyn Kelly nuk i bëri episodet e dy ditëve të fundit dhe sipas disa njoftimeve në media, ajo mund të largohet nga rrjeti televiziv më pak se dy vjet pasi e filloi emisionin.
Një zëdhënëse e NBC-së tha se televizioni do të ritransmetonte emisione të kaluara për të enjten dhe të premten.
Në një segment për kostumet e Hallouinit, Kelly mbrojti përdorimin e ngjyrës nga ana e personave të bardhë për t’u dukur si me ngjyrë. Ajo po diskutonte për një protagoniste të serisë “Real Housewives of New York City” që kishte errësuar fytyrën për të veshur një kostum të këngëtares, Diana Ross. Gazetarja tha se një gjë e tillë ishte e pranueshme kur ajo ishte fëmijë.
Kritikat në mediat sociale ishin të menjëherëshme dhe Kelly kërkoi falje.
Kelly shkoi në NBC nga Fox News në fillim të vitit 2017 por nuk ka arritur ta bëjë për vete audiencën.
“Blackface” i referohet një praktike në shekullin e kaluar kur aktorë të bardhë lyenin fytyrën me bojë të zezë për të portretizuar personazhe afrikano-amerikane. Ky portretizim i tallte ata dhe përforconte paragjykimet për ta. Për shkak të kësaj praktike, konsiderohet fyerje dhe mungesë ndjeshmërie që persona të bardhë të lyejnë fytyrën për të imituar afrikano-amerikanë.