A rrezikohet Shqipëria nga tërmeti 6.8 ballë i Greqisë?
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 ka goditur natën e kaluar, rreth orës 01:05 të natës (me orën tonë) brigjet perëndimore të Peloponesit, në Greqi, duke shkaktuar frikë të madhe por fatmirësisht asnjë viktime por vetëm shumë dëme materiale.
Epiqendra është lokalizuar në detin Jon, rreth 38 kilometra nga ishulli Zante (ose Zakinthos), në një thellësi 14 km.
Lëkundjet janë ndjerë deri në Athinë, rreth 300 km në distancë, por edhe në jug të Italisë, Shqipërisë dhe në Maltë. Dëmet më të mëdha janë regjistruar në Zante, në mënyrë të veçantë në portin e ishullit, që pavarësisht kësaj mbetet në funksion.
Për orë të tëra energjia elektrike është ndërprerë. “Po kontrollojmë të gjithë fshatrat e ishullit, ku ndodhen ndërtesat e vjetra”, -ka thënë zëdhënësi i Mbrojtjes Civile Spyros Georgiou, duke shtuar që mungesa e energjisë elektrike i bën gjërat më të vështira, por teknikët po punojnë dhe shpresojmë që shpejt ky problem do të zgjidhet.
Në një nga ishuj aty pranë pikërisht në Strofadi janë regjistruar dëme të mëdha në manastirin antik, ku pjesa më e madhe e Kullës është shembur. Pjesë të një kishe janë shembur edhe në qytetin e Pyrgos, pranë brigjeve. Pas tërmetit është shpërndarë edhe alarmi për cunam, por sipas të dhënave nuk është verifikuar asnjë anomali me dallgët. Lëkundjet e fuqishme janë shoqëruar edhe nga të tjera tërmete më të lehta.
Edhe në Itali, ka pasur lëkundje në disa qytete, nga Sicilia në Basilikata, nga Calabria në Puglia, deri në Campania. Instituti kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë ka bërë me dije që ‘në brigjet e Calabrisë, Basilikatës, Puglias, Sicilisë (në Jon) është shpallur alarm portokall, me rritje deri në 1 metra të nivelit të detit.
Të gjithë banorët janë këshilluar të qëndrojnë larg zonave bregdetare. Instituti bën me dije që anomali deri në 10 centimetra në det ka patur edhe në det pranë Castella në provincën e Cuneo, ku konfirmohet alarmi portokall në brigjet e Jonit në Itali’. Fatmirësisht Shqipëria nuk preket nga fenomeni në fjalë.
Fraksion.com