AktualitetNATO/BETë fundit

Stoltenberg: Rusia në shkelje të traktatit bërthamor

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha dje se Rusia ishte “në shkelje” të një traktati të rëndësishëm bërthamor dhe i kërkoi Moskës që të vepronte në përputhje me marrëveshjen “në një mënyrë transparente dhe të verifikueshme”.

Komentet e Stoltenberg pasojnë njoftimin e Presidentit Donald Trump për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Shkurtër dhe të Mesme Veprimi (INF) për shkak të shkeljeve të Rusisë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha se shkelja e traktatit bërthamor nga Rusia nuk mund të lejohet të vazhdojë.

“Të gjithë aleatët janë dakord se Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Shkurtër dhe të Mesme Veprimi (INF) është i rëndësishëm dhe pikërisht për këtë arsye ne jemi kaq të shqetësuar për qëndrimin rus. Gjithashtu të gjithë aleatët, natyrisht janë dakord me Shtetet e Bashkuara se Uashingtoni e ka respektuar plotësisht traktatin. Në të njëjtën kohë, ne jemi deklaruar në mënyrë të qartë se shpjegimi më i besueshëm është se Rusia tani është në shkelje të traktatit dhe për këtë arsye sfida, problemi, është sjellja ruse, që ne e kemi parë gjatë shumë viteve dhe është thënë qartë se kjo nuk mund të vazhdojë. Ne nuk mund të kemi një traktat mes dy palëve, që respektohet vetëm nga njëra prej tyre”.

Sekretari i NATO-s i bëri komentet pak ditë pasi Trump njoftoi synimin e tij për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Shkurtër dhe të Mesme Veprimi (INF) për shkak të shkeljeve të Rusisë.

Të hënën, Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të prodhojnë armë bërthamore dhe raketat balistike që ishin të ndaluara nga traktati.

Kremlini tha të martën se Presidenti Trump po mban “një qëndrim të rrezikshëm” duke vendosur të braktisë një traktat ekzistues pa ofruar asgjë për ta zëvendësuar atë.

Traktati, i cili u nënshkrua në dhjetor 1987 nga presidentët e atëhershëm Regan dhe Gorbaçov, u kërkon të dyja palëve të eleminojnë të gjitha armët bërthamore me rreze veprimi nga 500 deri në 5,500 kilometra së bashku me sistemet e lëshimit.

 

Fraksion.com