AktualitetNATO/BETë fundit

Norvegji: Nis stërvitja më e madhe e NATO-s që pas Luftës së Ftohtë

Stërvitja më e madhe ushtarake e NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë, e quajtur “Trident Junckture 18”, ka nisur sot në Norvegji dhe do të vijojë deri më 7 nëntor, në atë që do të jetë një shpalosje masive fuqie.

Rreth 50 mijë trupa, nga 31 vende  29 vendet anëtarë të NATO-s , Suedia dhe Finlanda, si dhe vende partnere, do të marrin pjesë në ushtrim.

Stërvitja organizohet në Norvegjinë Qendrore, në Atlantikun Verior e Detin Balltik, si dhe në hapësirën ajrore norvegjeze, suedeze dhe finlandeze.

Në stërvitje marrin pjesë 20 mijë forca tokësore, 24 mijë personel marine, 3.500 trupa nga forca ajrore dhe rreth 2.300 specialistë logjistike dhe personel nga një varg komandash të NATO-s.

Më shumë se 10 mijë mjete marrin pjesë në manovra, e sipas ushtrisë norvegjeze, autokolona e tyre shkon në 92 kilometra. Rreth 250 avionë dhe 65 anije janë përfshirë po ashtu, mes të cilave edhe luftanija bërthamore amerikane “USS Harry S. Truman”.

Vendet kryesore kontribuese janë Shtetet e Bashkuara, Kanadaja,  Gjermania, Norvegjia, Britania dhe Suedia.

 

Fraksion.com