“Do merremi me fëmijët tuaj”, Braçe zbulon kërcënimet nga burgu 313
Ka kaluar një javë nga koha kur kryeministri Edi Rama publikoi mesazhe kërcënuese të ardhura sipas tij nga burgu 313 në drejtim të deputetëve të Komisionit të Ekonomisë pas nisjes së shqyrtimit të projektligjit për ndalimin e lojërave të fatit.
E nga një mbledhje e këtij komisioni, Erion Braçe tha se kërcënimet vinin nga segmente të krimit të organizuar në biznesin e lojërave të fatit, sot në Kuvend pritet të votohet projektligji dhe deputeti i PS i është rikthyer sërish debatit mbi këto presione me mesazhe.
“Ti dhe ju i keni hequr bukën fëmijëve të mi, ne do të merremi me fëmijët tuaj”.
Është ky vetëm një nga mesazhet e ardhura nga burgu në drejtim të deputetëve që Braçe e ka zbuluar sot në Kuvend dhe për të cilin thotë se është dërguar nga e njëjta dorë disa herë në versione të ndryshme.
Dhe përgjigja e kreut të Komisionit të Ekonomisë për “dorën e krimit” është ky: “Kush nga ju mendon se ne jemi të dobët po bën gabimin e jetës dhe do t’u kushtojë shumë, shumë më tepër se sa mendoni, sepse do të veprojë ky ligj dhe organet ligjzbatuese.
Fraksion.com