AktualitetKosovaTë fundit

Beyer: “Nuk ka BE pa njohjen e pavarësisë së Kosovës”

Deputeti gjerman Peter Beyer ka kërkuar publikisht në Beograd që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Ndryshe nuk do të ketë anëtarësim në BE. Deklarata ka shkaktuar habi të madhe në Serbi.

    
Deputeti i partisë CDU (partia e kancelares Angela Merkel), Peter Beyer ka qenë gjatë vizitës së tij në Beograd dhe Prishtinë shumë i qartë: Gjermania është kundër ndryshimit apo korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Por ajo që ka lënë edhe më shumë përshtypje në mediat serbe është deklarata e Peter Beyer se njohja e Kosovës është kusht për Serbinë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Mediat serbe e kanë quajtur këtë si “dush i ftohtë për Beogradin”, sepse asnjë politikan tjetër evropian nuk e ka thënë kaq hapur një kërkesë të tillë në Beograd. Në media thuhet se “deputeti i Merkelit e ka thënë shumë qartë se Serbia nuk mud të anëtarësohet në BE pa njohjen e Kosovës”.

Autoritetet serbe pa komente

Kjo deklaratë duket se i ka gjetur të papërgatitur politikanët serbë. Ndaj ata kanë vendosur të heshtin. Kryeministrja Ana Brnabiq deklaroi pas takimit me Peter Beyer, se pika e vetme ku Gjermania dhe Serbia nuk pajtohen është çështja e Kosovës. Por ajo nuk i komentoi kërkesat e deputetit gjerman. Të kujdesshëm në deklaratat për DW janë edhe analistët serbë. Ata nënvizojnë se nga Evropa deri tani nuk ka ardhur politikisht kërkesa për njohjen e Kosovës, si kusht për anëtarësim në BE. Peter Beyer është i pari që e tha kaq qartë se ky është kushti, gjë që nuk është në harmoni me disa qëndrime të mëparshme të disa politikanëve amerikanë dhe evropianë, të cilët nuk e kanë hedhur poshtë as idenë e ndryshimit të kufijve.

Bashkëpunëtori i Qendrës për Çështje Ndërkombëtare dhe Sigurinë (ISAC), Igor Novakoviq thotë se duhet pritur të shihet nëse qëndrimi i deputetit Beyer është personal apo qëndrim i Berlinit zyrtar. Deri tani nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar nga institucionet evropiane në Bruksel.

Fati i dialogut

Beyer ishte i pari që në Beograd e ndërlidhi publikisht normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, me anëtarësimin e Serbisë në BE, thotë për DW Dragan Gjukanoviq, nënkryetar i  Qendrës për Politikën e Jashtme. “Duket se SHBA po përfshihet gjithnjë e më shumë në këtë proces. Është menduar se do të kërkohet nga Serbia njohja e Kosovës. Por kërkesa e paraqitur nga deputeti gjerman do të sfidojë edhe vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, sepse Beogradi ka pohuar deri tani se linja e kuqe e Serbisë është kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, thotë Gjukanoviq.

Igor Novakoviq mendon se Beogradi do të insistojë gjithnjë e më shumë për ripërcaktimin apo korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe do të heqë dorë nga kërkesat e mëparshme që të mos njohë pavarësinë e Kosovës, si kusht për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd. Beyer ka deklaurar se ndryshimi i kufijve nuk është i pranueshëm për Gjermaninë, por Igor Novakoviq mendon se kjo ide ende nuk është hedhur poshtë nga vendet e tjera të BE.

„Ka vende në BE që e mbështesin këtë ide”, thotë ai duke shtuar se pas hapjes zyrtare të një mundësie të tillë pritet edhe qëndrimi zyrtar i BE-së.

SHBA do të vendosë?

Dragan Gjukanoviq është i bindur se çështja e Kosovës do të varet gjithnjë e më shumë nga SHBA. Po sa mund të ndikojë Uashingtoni në qëndrimin gjerman?

SHBA ka një pozitë të fuqishme në këtë proces, mendon Gjukanoviq, ndonëse BE është ndërmejtësuese në dialog. „Shumëçka varet nga ofensiva e paralajmëruar diplomatike dhe përfshirja eventuale e SHBA në proces. Mendoj se kjo është më e rëndësishme se qëndrimi i Brukselit apo i Berlinit. Qëndrimi i Gjermanisë është me rëndësi, por mendoj se pas marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, SHBA do të insistojë që të zgjidhet edhe çështja e Kosovës”, pohon Gjukanoviq. Ndërsa Igor Novakoviq mendon se në administratën amerikane ka vërtet një ndryshim klime sa i përket kufijve të jashtëm. “Por mbetet kontestuese nëse kjo ide vërtet do të mund të realizohet”, thotë ai.

Fundi i rrugës evropiane?

Autoritetet serbe do të kenë probleme të mëdha që opinionit t’ia shpjegojnë se çfarë do të ndodhë me integrimet evropiane, nëse edhe zyrtarisht kërkohet njohja e Kosovës. Beogradi thotë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. A mund të konsiderohet pra se procesi i integrimeve evropiane për Serbinë ka përfunduar?

Nuk jam i sigurt, mendon Novakoviq. “Në Evropë në të ardhmen do të ketë ndryshime politike, pas zgjedhjeve të ardhshme. Ndaj është e mundur që të ketë modifikime edhe në procesin e afrimit me BE-në. Dyshoj se Serbia mund të ndalë procesin e integrimeve evropiane, për shkak të një deklarate të deputetit Beyer”, mendon ai.

Optimist është edhe Dragan Gjukanoviq, i cili shpreson se palët do të gjejnë një kompromis. “Besoj se mund të gjendet një zgjidhje me të cilën do të ishin të kënaqura palët. Unë pres që të gjendet një zgjidhje kreative që do të çojë deri tek normalizimi i raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, në mënyrë që të vazhdojë rruga e integrimeve evropiane”, pohon Igor Novakoviq. Ai sugjeron që Serbia të jetë e qetë në reagime, të vazhdojë dialogun dhe komunikimin me Brukselin, Berlinin dhe me vendet tjera anëtare të BE-së./DW

 

Fraksion.com