AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Kriminelët janë bërë faktori kryesor elektoral në Shqipëri

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se “çdo ditë që kalon po provon se çështjet dhe kauzat për të cilat Partia Demokratike ka luftuar me një kosto të lartë politike, më në fund janë të qarta para syve të gjithë shqiptarëve”.

Gjendja e drogës që ne denoncuam u bë e qartë për të gjithë shqiptarët; Kriminelët në Kuvend u bënë të qartë për të gjithë shqiptarët; Lidhjet e ministrave dhe politikanëve me trafikun e drogës u bënë të ditura.
Tashmë kanë dalë në dritë edhe provat zyrtare, të krimit të të gjitha krimeve: marrja e pushtetit nga Edi Rama në bashkëpunim me krimin. Kriminelët janë bërë faktori kryesor elektoral në Shqipëri. Vota e njerëzve, vullneti i njerëzve nuk kanë asnjë rëndësi në zgjedhjen e qeverisë në Shqipëri”, tha Basha.

“Kriminelët e Fushë-Krujës grabitën vota për Edi Ramën në zgjedhjet e 2017, nën drejtimin direkt të deputetit Rahman Rraja. Vetë djali i Rrajës u hetua për blerje votash dhe për kërcënim ndaj votuesve por hetimet ndaj tij u mbyllën. Grupi Rraja ka qenë i vetmi shtab elektoral i PS-së në Krujë aq sa Rraja i vogël ndihet oponenti ynë zgjedhor dhe sfidon opozitën në zgjedhje, duke provuar hapur se konkuruesi ynë zgjedhor nuk janë socialistët por janë kriminelët e rekrutuar nga Edi Rama.
Përgjimet kanë nxjerrë në dritë faktin se kriminelët e grupit të rrezikshëm Avdylaj kanë punuar për grabitjen e votave për llogari të PS, Vangjush Dakos dhe deputetëve të Edi ramës. Bashkë me Ramën, në pushtet erdhën edhe Avdylajt, ndaj ky grup kriminal u fuqizua në një grup të rrezikshëm ndërkombëtar të drogës”, shtoi kreu i PD-së.

Sipas Bashës, krimi i ka dhënë 10-15 mandate Ramës: “Në përgjimet e Lezhës është e njejta gjë, Ndokat kanë qenë bandë elektorale e PS-së; Në Kavajë del qartë se Elvis Roshi ka bërë të njejtën gjë, së bashku me Gent Dajën. Madje aty krimi dhe pushteti edhe formalisht u shkrinë në një në personin e Elvis Roshit; Në Elbasan Qazim Sejdini ka bërë të njëjtën gjë; Njësoj në Dibër, Prokuroria ka një dosje tjetër ku hetohet për vjedhjen e votave në Dibër ku është përfshirë Ulsi Manja, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri; Sot mund të themi me siguri se krimi i ka siguruar Edi Ramës të paktën 10-15 deputetë përmes kërcënimit, grabitjes dhe blerjes së votës”.

 

Fraksion.com